Debutoi me Genoan dhe është vetëm 19-vjeç! Shqipëria fiton një tjetër mbrojtës për të ardhmen

Brayan Boci ka debutuar si titullar me ekipin e parë të Genoa. Mbrojtësi shqiptar ishte nga minuta e parë në ndeshjen kundër Modenas në Serie B, e mbyllur me shifrat 2-2.

Megjithatë lojtari 19-vjeçar ishte i pafat sepse u dëmtua dhe duhej ta linte fushën e blertë në minutën e 41.

Nën drejtimin e Genoas është një emër i njohur për futbollin europian, ish-sulmuesi i Milanit, Gilardino. Sa i përket Bocit,

mbrojtësi i majtë ka përfaqësuar vetëm të rinjtë e Italisë deri tani. Gjithashtu është kapiten te Genoa U-19, ndërsa po afrohet gjithmonë e më tepër në ekipin e parë.

Një brez i ndritur talentesh po vjen për Shqipërinë! Emigrimi dhe ikja në masë e shqiptarëve drejt vendeve të Europës është plagë e madhe për shoqërinë tonë, por sa i përket futbollit, mund të themi se ka sjellë disa të mira. Nëse duam të shohim pak dritë në fund të tunelit, ky është këndvështrimi i vetëm.

Kjo pasi familjet që zhvendosen në vende me më shumë mundësi punësimi, i krijojnë të gjitha kushtet e tyre fëmijëve që të ndjekin pasionet, për të mos vuajtur si ata dikur në moshën e hershme. Kështu Shqipëria gjen në gjirin e saj lojtarë të talentuar nga të gjitha anët e botës dhe shumë më tepër do t’i vijnë në vitet në vazhdim, veçanërisht nga Anglia.

Pa harruar edhe Italinë, që gjithmonë ka qenë shtëpi e dytë për shqiptarët. E në këtë vend është zbuluar një tjetër talent i ri, të paktën për ne mediat. Atalanta publikoi formacionin zyrtar ndaj Leçes dhe të gjithë u habitëm kur pamë në stol Endri Muhametin.

Mesfushori 18-vjeçar ishte në stol me ekipin e parë të drejtuar nga Gasperini. 1.90 i gjatë dhe me të majtën si këmbën e preferuar, Endri është zëvendës kapiten te ekipi i të rinjve të Atalantës. “Sport Ekspres” ka siguruar një intervistë me babain e këtij lojtari, Eduart Muhameti.

Më herët djali i tij ka luajtur edhe për moshat e Italisë, por Eduarti na tregon se presidenti i FSHF, Armand Duka, e ka telefonuar për ta bindur që futbollisti të jetë pjesë e Shqipërisë pasi shihet si potencial i madh për të ardhmen tonë. Kreu i Federatës ka dalë pak nga puna e zakonshme duke dashur që Shqipërisë të mos i ik nga duart një talent i tillë dhe të gjithë ta gëzojmë në një kohë jo shumë të largët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *