Sokol Cikalleshi po gëzon një formë të mirë në kampionatin e Arabisë Saudite, ku deri më tani numëron 5 gola të shënuar dhe një asist për skuadrën e Al Khaleej-it.
I pyetur në emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“ nëse ndihet i rrezikuar në Kombëtare, duke marrë përpara sysh nivelin e kampionatit në të cilin luan, krahasuar me sulmuesit e tjerë të Shqipërisë, ai është përgjigjur:
“Unë nuk jam rrezikuar asnjëherë, sepse vendin në Kombëtare Cikalleshi nuk e ka me tapi. Nuk e ka pasur asnjëherë. Kjo nuk vlen vetëm për mua, por për çdo lojtar, që kështu duhet ta shikojë.
Kombëtarja është një krenari dhe sa herë ka nevojë ne jemi ushtarë dhe dalim në vijën e parë të sulmit dhe mundohemi të performojmë”, ka thënë Sokol Cikalleshi.
Fatkeqësisht Broja është i dëmtuar. Nuk është një lajm i mirë për ne, sepse është një lojtar me shumë kualitet për të ardhmen. Më vjen mirë për Uzunin, sepse ka punuar shumë për të arritur aty ku është. Kam pasur një farë komunikimi edhe unë (me Silvinjon) Nuk është një komunikim që tregon diçka madhore. Kam pasur fatin që si Polonisë, ashtu edhe Çekisë i kam shënuar të dyjave.
Me Çekinë ishte miqësore, por kam shënuar një nga golat më të bukur të karrierës. Është një ogur i mirë, por nuk do të thotë asgjë. Janë ekipe shumë të forta. Polonia është kreu i grupit, duke qenë se kemi edhe ndeshjen jashtë, duhet të ndjekim atë shprehjen ‘fillimi i mbarë gjysma e punës’.“, ka thënë Sokol Cikalleshi.