Fabricio Korsi i është rikthyer edhe një herë tjetër shitjes së Kristjan Asllanit dhe për presidentin e Empolit mesfushori vlen më shumë se 14 milionë euro në total që kanë përfituar toskanët.
“Lojtarët që kemi pasur gjatë gjithë kohës në organikë kanë qenë një burim i mirë të ardhurash për klubin.Shitëm Riçin për 9 milionë, por sipas meje vlen 30, ashtu si Vitin e Asllanin për shifrat që njihni.
Asnjëri prej tyre nuk e ka përfunduar rritjen në aspektin futbollistik, janë lojtarë me shumë perspektivë, që për mua vlejnë shumë më shumë. Kanë potencial të jashtëzakonshëm”, është shprehur presidenti i Empolit.
Fabricio Korsi nuk ka ngurruar asnjëherë të tregojë lidhjen e tij të ngushtë me Kristjan Asllanin, xhevahirin shqiptar, që në verë la Empolin për Interin.
Në përfundim të ndeshjes Empoli-Inter, vetë presidenti nuk e ka fshehur gëzimin për fitoren, duke treguar përditshmëritë që kishte dhe dhuratën e marrë në fund të saj.
“Ishte një fitore fantastike, një ëndërr të fitoje në “San Siro” përballë Interit dhe jam shumë i lumtur për të gjithë. Ne shpresonim te një barazim, por kjo ishte më se e merituar. Në fund takova Asllanin dhe mora fanellën e tij, e vlerësoj shumë”, përfundoi presidenti i Empolit.