Napoli është duke bërë shumë mirë, ndërsa kryeson Seria A me 18 pikë diferencë nga vendi i dytë, që mbahet nga Inter, ndonëse “zikaltërit” ende nuk e kanë mbyllur raundin e 23-të.Ndërsa vijon të marrë rezultate pozitive, Spalletti është duke menduar për skuadrën e sezonit të ardhshëm.
Nga mediet italiane raportohet se Napoli është duke vëzhguar me shumë interes mesfushorin e kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami-n, i cili aktualisht është i huazuar te Sassuolo deri në fund të këtij sezoni.
Kartonin e shqiptarit e posedon Empoli deri në verën e 2024-ës, por me formën e mirë dhe interesin e Napolit, skuadra që e ka në pronësi do pranonte ta shiste Bajramin për një shifër të kënaqshme dhe një transferim i tillë do i pëlqente shumë 23-vjeçarit.
Napoli merr fitoren e radhës në Serinë A. As Sassuolo nuk mund të ndalë “galopimin” e Napolit drejt titullit kampion, trofe që të kaltrit nuk e fitojnë që nga epoka e Maradonës.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti triumfoi 0-2 në “Mapei Stadium”, ku të dy golat u shënuan në pjesën e parë. E zhbllokoi takimin talenti gjeorgjian, Kvaratskhelia, i shërbyer nga Olivera në minutën e 12-të.
Goli që vulosi fitoren e napolitanëve u realizua nga Osimhen në të 33-tën e në këtë rast, përveç përgjegjësisë së mbrojtjes dhe portierit, meritë ka edhe mbrojtësi shqiptar, Amir Rrahmani, që lëshoi një top të gjatë për sulmuesin, që e dërgoi topin në rrjetë nga një kënd i vështirë.