Me rritjen e nivelit të tij në fushën e lojës, Elseid Hysaj ka mundur të rrisë edhe zerot në llogarinë e tij bankare.
Mbrojtësi shqiptar ka përfituar të ardhura të konsiderueshme me kontratat e tij te Napoli dhe Lacio, duke mos i kursyer vetes luksin në jetën e përditshme. Përpos futbollit, shkodrani ka edhe një pasion për makinat.
Garazhi i Elseid Hysajt është i mbushur me vetura luksoze, që në total kapin shifrën e 900 mijë eurove. Makinat e tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave italiane, të cilat kanë shkruar për pasurinë që gjendet në garazhin e lojtarit të Lacios.
“Tuttosport” dhe “Corriere dello Sport” tregojnë se Hysaj zotëron një flotë vërtetë të shtrenjtë makinash, e cila përbëhet nga një Ferrari 458 (206 mijë euro), Mercedes G-Class AMG (187 mijë euro), Jeep Wrangler (84.290 euro) dhe Lamborghini Aventador Svj (430.730 euro).
Lojtari i kombëtares shqiptare, theksoi në prononcimin për shtypin se Lazio synon fitimin e trofeut te Conference League. “Duam të fitojmë Conference League. Mund t’ia dalim. Të gjithë lojtarët duan të kenë një trofe më shumë në karrierën e tyre.
Si po shkon ky sezon? Jam më i qetë dhe po përmirësohem. Nuk dua të dorëzohem deri në fund. Ndihem më i qetë se më parë. Kemi parë një video të Cluj, por fusha ishte e ngrirë.
Kanë 3-4 lojtarë që bëjnë diferencën. Nuk duhet t’u lejojmë hapësira”, shprehet Hysaj. Më pas një koment për Sarrin, me të cilin ka punuar edhe tek Empoli e Napoli.
“Ai nuk zbutet kurrë. Më pëlqen mënyra sesi i bën lojtarët të kuptojnë idetë e tij. E njoh prej vitesh, ai gjithmonë dëshiron të përmirësohet. Jemi një skuadër dhe një grup i madh.
Duhet të përmirësojmë disi mentalitetin. Duhet t’i menaxhojmë mirë ndeshjet çdo tri ditë. Ndihem më mirë, pasi më keq se vjet nuk mund të bëhej. Më vjen mirë që kam rifituar besimin e të gjithëve. Puna të shpërblen gjithmonë”, u shpreh Hysaj.