Partizani tashmë prej javësh është në kërkim të një sulmuesi, i cili duhet të garantojë gola për pjesën e mbetur të sezonit, pasi ikja e Xhuliano Skukës ka “dobësuar” forcën e demave para portës.
Për të zëvendësuar dibranin e larguar drejt Metz në Francë, drejtuesit e kuq kërkuan në huazim sulmuesin serb të Milan, Marko Lazetic, i cili me skuadrën e parë të kuqezinjve nuk po gjen minutat e dëshiruara, ndërsa është blerë nga Crvena Zvezda për 4.5 milionë euro.
Në këto kushte drejtuesit e Partizanit nisën bisedimet për huazimin e tij, por siç duket janë refuzuar. Sipas “Informer.rs” mësohet se vetë serbi ka refuzuar mundësinë e transferimit në Shqipëri, ndërsa ka theksuar se: “Nuk dua të luaj në Tiranë”.
Nderkohe Erzeni është cilësuar shpesh si “Hirushja” e këtij kampionati, pasi shijakasit kanë arritur të bëjnë paraqitje fantastike në dy fazat e parë. Aktualisht renditen në vendin e 3-të në klasifikim me 29 pikë, vetëm -5 nga vendi i parë që mbahet nga Tirana.
Por përveç kësaj, shijakasit kanë bërë afrime cilësore gjatë kësaj merkatoje dimri, në mënyrë që skuadra të përforcohet për pjesën e mbetur të sezonit. Afrimi i fundit mund të konsiderohet ish-mesfushori i Partizanit, Aristoteles Romero.
Mësohet se palët kanë arritur marrveshjen mes tyre dhe në orët në vijim pritet që 27-vjeçari të vihet nënurdhrat e Xhevahir Kapllanit dhe të veshë fanelën e Erzenit për pjesën e mbetur të sezonit.
Aktualisht mesfushori është një lojtar i lirë në treg që pas largimit nga skuadra e Partizanit, teksa me transferimin në Shijak pritet të rikthehet protagonist në kampionatin shqiptar.