Ilir Daja apo Estebian Kambiaso. Gazeta Panorama mëson se dy trajnerët janë në balotazh në lidhje me stolin e Kombëtares shqiptare.
I pari aktualisht drejton kampionët e Kosovës, Ballkanin, ndërsa i dytë është i lirë dhe së fundmi është shfaqur në Katar, duke mbështetur në stadium Argjentinën e tij. Deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar nga FSHF-ja në lidhje me drejtuesin e ri të përfaqësueses.
Rreth një muaj më parë, kur Shqipëria po përgatitej për miqësoret e nëntorit, në skenë doli emri i Ilir Dajës për të marrë drejtimin e Kombëtares, kjo u shty më shumë sepse trajneri është shqiptar dhe mund të ishte një provë e mirë për përfaqësuesen, pasi edhe opinioni sportiv është pro një trajneri me kombësi shqiptare.
Duke ditur edhe sukseset që Ilir Daja ka arritur, e fundit me Ballkanin në grupet e Ligës së Konferencës, ai shihet seriozisht si zëvendësuesi i Edi Rejës.
Kandidati tjetër është Estebian Kambiaso, argjentinasi i cili u përfol pak kohë më parë, ku mbërriti edhe në Tiranë dhe darkoi me kreun e Federatës, për të diskutuar edhe në lidhje me këtë.
Karriera e tij si trajner nuk është me një eksperiencë të njëjtë me atë si futbollist, pasi Kambiaso ka luajtur me ekipe si Real Madridi dhe Interi për shumë vite, por si drejtues, e ka nisur në disa kategori të ulëta në Itali dhe me profesionistët, posti i vetëm që ka mbajtur është si ndihmës trajneri i kombëtares së Kolumbisë në Botërorin e 2018-ës, periudhë 2-mujore. /Panorama Sport