Egnatia bën një goditje të madhe për sulmin pa u hapur ende zyrtarisht merkatoja e janarit. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta në klubin rrogozhinas, se është arritur marrëveshja me 27-vjeçarin ganez, Rafael Duamena.
Bëhet fjalë për një qendërsulmues tipik, i cili është i afirmuar në futbollin europian prej kohësh, pasi jo më larg se katër vite më parë, ka qenë pjesë e klubit të njohur spanjoll, Levante, duke luajtur 12 ndeshje në La Liga me fanellën e kësaj skuadre.
Aventura e tij në elitën spanjolle zgjati vetëm një sezon, por pa mundur të shënojë dot gol, ndërsa u bë protagonist vetëm me një asist.
Më pas u transferua te një tjetër klub i njohur, si Real Saragoza, duke u aktivizuar në nëntë ndeshje dhe shënuar dy herë në Ligën e Dytë spanjolle.Duamena vjen me një CV shumë të pasur, pasi ka shkëlqyer më parë në Superligën zvicerane dhe gjithashtu në Austri.
Me Zyrihun ai ka luajtur në vitet 2017- 2018, ku në 50 ndeshje, arriti të shënojë 21 gola, duke qenë sulmuesi kryesor i klubit të madh helvet.
Përpara se të bënte mirë në Zvicër, “bumi” i ganezit ishte me Lustenaun në Austri, ku pati statistika mbresëlënëse, teksa shënoi 18 gola në 20 ndeshje.
Afrimi i tij mund të quhet padyshim një goditje e madhe për sulmin e Egnatias, pavarësisht se në dy sezonet e fundit karriera e ganezit ka ardhur në rënie.
Nga viti 2020 e deri më tani, Duamena është aktivizuar me Vejlen në Superligën e Danimarkës, më pas me Blau Linz në Ligën e Dytë austriake dhe në katër muajt e fundit me BSC Old Bojs në Zvicër.
Goli i tij i fundit në një nivel të rëndësishëm në Europë është pikërisht kundër Kopenhagenit në fundin e vitit 2020, ku ndihmoi Veljen në barazimin 2-2.
Në këtë takim kanë qenë në fushë për ekipin danez, edhe lojtarët e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani dhe Arbnor Muçolli. Pritet që Duamena të jetë gati për trajnerin Shpëtim Duro në muajin janar, duke forcuar shumë sulmin. /Panorama Sport