“Nuk e prisja që një legjendë si Pixi të shante nënat tona shqiptare”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një prononcim për mediumin serb “Danas”.
Ademi ka komentuar lidhur me ngjarjet e fundit që rrodhën në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës, takim ky përfundoi me rezultat 2:3 në favor të zviceranëve.
Në një moment është kapur nga kamerat edhe trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq-Pixi, duke sharë shqiptarët – adresim ky për Xhakën dhe Shaqirin, të cilët ishin protagonistë në këtë sukses.
“Ai ishte një legjendë e futbollit të Jugosllavisë, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët, shijonim driblimin dhe aftësitë e tij, e shikonim drejtpërdrejt edhe në Ligën e Parë të atëhershme”, theksoi Ademi.
“Shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe habiten që ai u soll kështu edhe në një ndeshje që nuk ishte kundër Kosovës por ndaj Zvicrës”, shtoi i pari i FFK-së.
“Gjëra të tilla nuk duhet të bëhen as nga tifozët në tribuna, e lëre më nga një pjesëmarrës në ndeshje”, ka thënë Ademi për mediumin serb.