Në përurimin e dy shkollave të reja në Kodër Kamzë, “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy”, kryebashkiaku Erion Veliaj përmendi, edhe ata që mohojnë punët e kryera në Tiranë.
Duke iu referuar në veçanti analistëve, Veliaj tha se është e pakuptimtë pse këta revoltohen kur në television transmetohet kronika për hapjen e konvikteve për studentët, siç ishte rasti me dy rezidencat e reja për studentët e Fakultetit të Mjekësisë.
“Dje ndodhi gjëja më e pabesueshme, që nuk e kisha parë ndonjëherë. Analistët u revoltuan pse u transmetua në televizor hapja e konvikteve? Por, dje, përveç hapjes së konvikteve, në dhamë lajmin se Bashkia e Tiranës vendosi të paguajë gjysmën e tarifës së konviktit për studentët dhe analistët u revoltuan pse u transmetua kjo gjë. Jo vetëm kaq!
Duke qenë se këta studentë vijnë nga rrethet, ne vendosëm që t’ua japim abonetë falas. Edhe për këtë ishin trembur analistët, thanë: “Si ka mundësi të jepet live kjo gjë? Ndërpriten llogjet tona nëpër banaqe dhe jepet ky lajm për abonetë falas për studentët. Si ka mundësi të ndërpritet logoreja jonë nëpër televizione dhe jepet lajmi që konviktet do të subvencionohen 50% nga bashkia? Si ka mundësi të ndërpriten këto idiotësitë tona, që themi nëpër banaqe, dhe ne duhet të dëgjojmë që paska konvikte te reja për mjekët e ardhshëm?”.
Sot kemi një hegjemoni banaliteti nga njerëz që rrinë nëpër banaqe dhe japin mend për gjëra që nuk i dinë fare; janë njerëz që janë rritur në prehrin e Enver hoxhës dhe nuk e kuptojnë fare atë fëmijën që thotë: “Mami ka ardhur nga Puka, babi ka ardhur nga Laçi e nga Tropoja”, kanë lënë gjithçka dhe e kanë filluar nga zero për fëmijën. Por, kjo shkollë, ky investim, kjo përpjekje, ky angazhim, ky përfaqësim është për çunat dhe për gocat që nuk janë rritur në prehrin e Enverit, po për çunat dhe për gocat që ia dalin vetë, që i bëjnë gjërat me mund, që i bëjnë gjërat me djersë dhe janë produkt i një sakrifice të jashtëzakonshme të burrave dhe grave, që mund të kenë ardhur nga gjithë cepat e Shqipërisë, por që e shohin Tiranën si vendin ku duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se një pjesë e këtyre analistëve e kanë patur jetën shumë të lehtë, ndaj nuk i kuptojnë vështirësitë e nxënësve dhe studentëve sot, apo prindërve të tyre.