Shkëndija të dielën në Shkup mundi Makedonija GJ.P me rezultatin 3:1, duke mbajtur hapin me dy skuadrat e para në renditje, Struga Trim Lumin dhe FC Shkupin, shkruan “infOSport.mk”.
Shkëndija në këtë ndeshje ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë, ku në qendër të vëmendjes doli të jetë sulmuesi Lupçe Doriev me dy gola të shënuar, ndërsa një tjetër realizoi edhe kapiteni Ferhan Hasani. Megjithatë në këtë fitore nuk mund të mohohet edhe kontributi i dy vëllezërve, Ramadani, që asistuan në dy prej golave.
Reshat Ramadani, i cili luajti si titullarë, asistoi në golin e Ferhan Hasanit, derisa Florent Ramadani, i cili në lojë u inkuadrua në minutën e 84-të, vetëm një minutë më pas bëri një super asistim, kur me një diagonale të gjatë nga gjysmëfusha mjaft mirë gjeti sulmuesin Doriev para zonës kundërshtare, teksa ky i fundit duke treguar edhe njëherë tjetër formën e mirë nëpër të cilën po kalon, pasi shmangu dy futbollistë kundërshtarë dhe gjeti hapësirën e duhur për të goditur, shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Stevkovskit, duke konfirmuar fitoren e 7-të sezonale dhe të 6-tën në ndeshjet si mysafir.
Kujtojmë, Reshat Ramadani është vetëm 19-vjeç, ndërsa ka zhvilluar plotë 19 ndeshje me Shkëndijën, përfshirë këtu edhe 5 ndeshjet europiane. Për Ramadanin së fundmi po spekullohet se i njëjti shumë shpejtë mund të veshë fanellën e kombëtares U21 të Shqipërisë, pasi për shërbimet e tij po këmbëngul vetë kryetrajneri Alban Bushi, i cili te Reshati sheh një futbollistë të së ardhmes “kuqezi”.
Mbetet të shihet nëse një gjë e tillë do të bëhet realitet, duke pasur parasysh se i njëjti tashmë ka kaluar ekipet zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, U19, U20 dhe U21.
Pjesë e kësaj të fundit ishte edhe vëllai i tij më i madh, Florenti, duke zhvilluar 5 ndeshje me shpresat e vendit, ndërsa sa i përket paraqitjeve të këtij edicioni me fanellën e Shkëndijës, më i madhi nga vëllezërit Ramadani, numëron gjithsej 20 ndeshje, 14 prej të cilëve në kampionatin elitar vendor dhe 6 në kupat europiane.
I njëjti këtë edicion ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit, por njëkohësisht ka ndihmuar ekipin me 3 asistime, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër cilësitë e tij të larta prej një mesfushori.
Ndryshe, Florent Ramadani me ekipin e parë të Shkëndijës, për të cilën numëron 68 ndeshje dhe 6 gola të shënuar, kishte debutuar me 8 maj të vitit 2019-të, kur ende nuk kishte mbushur të 19-tat, derisa golin debutues me fanellën “kuqezi” e kishte realizuar ndaj një ish rivali të përbetuar, Vardarit me datë 17 tetor të vitit 2020. /Burimi: Infosport.mk