Ylli i Francës luan për 41 minuta me varëse në qafë, në momentin që arbitri e sheh ndal lojën dhe i kërkon…

Franca mposht Poloninë me rezultatin 3-1 dhe siguron një biletë për në fazën çerekfinale të Katar 2022. Polakët tentuan t’i bënin ballë francezëve dhe në disa momente të lojës ia dolën mbanë mjaft mirë. Megjithatë, ato që vendosën në fund ishin kualitetet e “Les Bleus” që e ndëshkuan Poloninë me Olivier Giroud dhe Kylian Mbappe.

Sa i takon kronikës së pjesës së parë, Franca e nisi me vrull duke kërkuar që të tregonte forcën që në minutat e para. Ishin dy goditje nga ana e Tchouameni dhe Dembele që vendosën në provë portierin Szczesny, respektivisht në të 13-tën dhe të 16-tën. Pas këtij fraksioni loje, Polonia e mori veten dhe gjithashtu “kërcënoi” francezët. Rasti i pari i takoi Robert Lewandowskit që provoi me një goditje nga distanca dhe që përfundoi vetëm pak centimetra larg kuadratit të Lloris.

Gjithsesi, mundësia më e mirë për polakët u regjistrua në minutën e 37-të, kur fillimisht Zielinski e më pas Cash u shfaqën brenda zonës së “Gjelave” me Varane që shpëtoi topin në vijën fatale. Por, ky moment i mirë nuk u shfrytëzua nga polakët që u goditën vetëm shtatë minuta më pas nga ana e Olivier Giroud.

Në duelin e “Al Thumama” në Doha ndodhin edhe çudira, me mbrojtësin e Francës Jules Kounde që për 41 minuta ka luajtur me varëse në qafë. Vetëm thuajse në fundin e pjesës së parë arbitri i linjës ka parë mbrojtësin me varëse, duke ndalur lojën derisa sendi i palejuar të hiqej nga stafi. Kujtojmë se për sigurinë e lojtarëve gjatë një ndeshje futbolli nuk lejohen varëse apo unaza.SHIH VIDEON

Megjithatë, goli i dytë erdhi në minutën e 74-të me anë të një kundërsulmi të ekzekutuar në perfeksion nga ana e Dembele dhe Mbappe me këtë të fundit që përmbylli me sukses aksionin teksa me një goditje preçize në zonë nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit Szczesny.

Një gol që i “preu gjunjët” polakëve dhe i detyroi të dorëzoheshin para kohe, ndërsa Mbappe gjeti kohën edhe për një tjetër gol. Sërish brenda zone, 23-vjeçari goditi me efekt dhe e depozitoi topin në fundin e rrjetës së Szczesny, goli i pestë në këtë Botëror duke udhëhequr renditjen e golashënuesve.

Në fund pati kohë edhe për një gol të Robert Lewandowskit që shënoi nga 11-metrat, një rrjetë që i shërbeu sa për statistikë personale sulmuesit që e mbyll këtë Kupë Bote me dy gola të realizuar. Kështu, me një fitore bindëse, Franca garanton pjesëmarrjen në çerekfinale dhe pret të përballet me fituesen e çiftit Angli-Senegal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *