Behgjet Pacolli di sesi ta thithë vëmendjen mediatike. Nëpërmjet një postimi të fundit, njeriu që u komentua nga mediat si një kandidat i mundshëm për të blerë Manchester United, ka thënë se është i gatshëm për të paguar paratë për Granit Xhakën nëse do të vinte një dënim nga FIFA.
Kaq ka mjaftuar që Milaim Zeka të shkruante me nota ironie: “Nëse FIFA dënon Shaqirin se pse nuk ua tregoi serbëve sqepin e shqiponjës, të gjitha shpenzimet i paguaj unë. Për Xhakën paguan Pacolli”, shkruan Zeka.
Kreu i AKR-së ka thënë se ka folur personalisht me Granit Xhakën dhe i ka thënë se do ta paguajë dënimin nëse emri Jashari e shqetëson FIFA-n dhe shtëpia më e madhe e futbollit botëror i vendos gjobë mesfushorit shqiptar.
“Nëse emri Jashari shqetëson FIFA-n apo botën dhe Granit Xhaka dënohet se ka mbajtur pas ndeshjes këtë emër të shenjtë, atë gjobë do ta paguaj personalisht unë, në emër të popullit shqiptar”.
“Këtë ia kam njoftuar sot personalisht edhe Granitit. Tani ecim tutje dhe u urojmë atyre fat të vazhdueshëm kundër Portugalisë”, ka shkruar Begjet Pacolli.
Kujtojmë që Zvicra tani do ndeshet të martën më Portugalinë e Cristiano Ronaldos për një vend në cerekfinalet e Botërorit Katar 2022.