Verona ndryshon sërish në pankinë dhe ia beson drejtimin e skuadrës Marco Zaffaronit. Ky i fundit është një trajner me eksperiencë kryesisht në ligat e ulëta italiane dhe do të drejtojë për herë të parë në Serinë A.
Zyrtarizimi ka ardhur pasditen e sotme, me Zaffaronin që do të ketë si ndihmës Salvatore Bocchettin, i cili ishte trajner i përkohshëm i skuadrës prej 16 tetorit, kur u shkarkua Gabriele Cioffi.
Me këtë ndryshim, “shkarkohet” edhe trajneri shqiptar Dritan Dervishi, i cili ishte teorikisht trajner i parë i Veronës, pasi ai që drejtonte skuadrën praktikisht, pra Bocchetti, nuk kishte licencë trajneri.
Dritan Dervishi është një emër i njohur në Shqipëri pasi disa sezone më parë ka qenë drejtor teknik i Partizanit ku bëri disa afrime te bujshme.
Ai prej kohësh ka qenë i lidhur me klubin e Veronës ku ka qenë edhe në rolin e skautit për shumë kohë, dhe detyra të tjera pranë këtij klubi.
Ai është i licensuar për të ushtruar profesionin e trajnerit dhe pse deri më sot ende nuk e ka bërë zyrtarisht këtë gjë. Por së shpejti mund të ndodhë!