Trajneri më i suksesshëm i historisë së Kombëtares dhe strategu aktual i Azerbajxhanit, Xhani de Biazi ka folur gjatë për “Tuttomercatoweb”, ku ka treguar skuadrën e preferuar në Botëror. Italiani flet edhe për Napolin dhe veçanërisht për Amir Rrahmanin, që e nisi te Partizani dhe tashmë është një prej liderëve të Napolit.
RRAHMANI – “Mendoj se ai ka një potencial të jashtëzakonshëm, edhe në nivelin fizik. Para disa sezonesh luante në një kampionat të vogël, te Partizani i Tiranës në Shqipëri dhe bëri një udhëtim të rëndësishëm përpara se të mbërrinte te Napoli.
Ai kaloi fillimisht në Kroaci dhe më pas erdhi në Itali te Verona. Ishte shumë i zoti për t’u ambientuar dhe në vende të ndryshme dhe kjo ndodh falë cilësive të mëdha të tij”.
SERIA A – “Nëse shohim renditjen sot, vëmë re se Napoli ka një diferencë të rëndësishme, por në jetë kurrë nuk mund të thuash kurrë.
Milani është një ekip që ka cilësi, Juventusi ka gjetur ritmin e tij dhe ne duhet të shohim sesi do të jenë kur t’u kthehen të gjithë të dëmtuarit, sepse është një ekip plot me lojtarë që marrin pjesë në Kupën e Botës. Pastaj është Lacio, që me Sarrin po bën shumë mirë, po luan në një kampionat të madh.
Nuk e di, por bashkë me Interin, këto skuadra mund të konsiderohen si ndjekësit e Napolit. Kampionati është pak i tronditur, sepse Napoli është jashtë çdo logjike dhe po ecën me një ritëm të çmendur”, tha mes të tjerash De Biazi.