Kombëtarja e Zvicrës në futboll sonte do të luajë kundër Serbisë pa portierin e parë dhe lojtarin kyç Yann Sommer, i cili ishte në formë të shkëlqyer gjatë Botërorit dhe ishte edhe shtylla kryesore e ekipit në të kaluarën.
Gazeta zvicerane Blick, e cila është gjithmonë mirë e informuar, ka bërë të ditur se Sommer dje është sëmurë dhe nuk do të jetë gati për ndeshjen që do të luhet sonte në orën 20:00.
Në vend të tij, Gregor Kobel i Borussia Dortmund do të qëndrojë në portë, por mungesa e Sommer do të jetë një humbje e madhe duke pasur parasysh se shkëlqeu në pjesën e mëparshme të turneut, si dhe ishte një lojtar kyç për Zvicrën në Kampionatin Evropian.
Për zviceranët kujtojmë luajnë edhe tre futbollistë me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari.
Shaqiri mungoi në ndeshjen ndaj Brazilit për shkak dëmtimi, për sot ende nuk dihet nëse do jetë titullar apo do e nisë nga stoli.
Ndërkohë ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo mes Brazilit dhe Kamerunit, ku brazilianëve ju mjafton 1 pikë për të siguruar vendin e parë në grup.