“Agim Qirjaqi i divorcuar, Reshat Arbana komunist, Robert Ndrenika ka vëllanë të arratisur”, dosjet e aktorëve me “njollë” në biografi

Sot ato duken tërësisht qesharake, por asokohe kishte një rëndësi jete. Mjaftonte një shënim në biografi që fati yt të merrte fund, një karakteristikë jo e mirë, një mendim i lëkundur apo i nënkuptuar hidhte në erë gjithë përpjekjet profesionale. Kjo ishte më e pakta.

Mund të transferoheshe në qytete të largëta, të mos e ushtroje kurrë profesionin tënd, të internoheshe apo edhe të burgoseshe. Studiuesi Dashnor Kaloçi publikon në “Memorie.al” një sërë “karakteristikash” për disa aktorë të Teatrit Kombëtar, të cilët propozoheshin për tituj. Janë emra të mëdhenj të skenës, që nga Reshat Arbana tek Agim Qirjaqi e Robert Ndrenika.

Karakteristikat janë firmosur nga drejtori i Teatrit, Muharrem Shtylla, dhe nga sa kuptohet është treguar fort i butë edhe në ato raste, për të cilat Partia nuk të falte, si në rastin e Robert Ndrenikës, që kishte një vëlla të arratisur. Ky shkrim është shkëputur nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” i gazetarit Dashnor Kaloçi.

ROBERT PETRO NDRENIKA –aktor Ka lindur në Tiranë në vitin 1942, banues në Lagjen Nr. 5, rruga “Islam Alla”, Nr. 126. Është me origjinë nëpunës i mesëm dhe gjendje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1964. Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë Luftës NacionalÇlirimtare ka qenë indiferent. Tani është i mirë. I ati i tij Petro, nga Vunoi i Himarës, para çlirimit ka shërbyer në Ministrinë e Financave.

Nga viti 1945 deri në vitin 1948 shërbeu përsëri në Ministrinë e Financave. Më vonë ka punuar në Komitetin e Fizkulturës në Ministrinë e Shëndetësisë. Tani është në pension. Një vëlla i tij, inxhinier topograf, në vitin 1961 është arratisur jashtë shtetit. E ëma, Krisafgjia, para dhe pas çlirimit deri sa doli në pension ka qenë arsimtare.

Ka filluar punë në Teatër në vitin 1974. Para se të vinte këtu, ka qenë aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Është një nga aktorët e talentuar të Teatrit Popullor dhe një nga aktorët më me rendiment. Kontributi i tij është i madh në teatër dhe në film. Është i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të mira për t’u thelluar në materialet e partisë dhe të shokut Enver.

Gjatë viteve të fundit, veç kontributit të tij të ndjeshëm në kinematografi, ka realizuar shumë role kryesore në pjesët “Nata e dymbëdhjetë”, “Kështu të dua”, “Komunistët”, “Shi në plazh”, “Vdekja e një komisioneri”, role që janë mirëpritur nga spektatori dhe kritika letrare. Mban peshë të madhe në repertorin aktiv dhe është i papërtueshëm në punë. Ndihmon shokët më të rinj në realizimin e roleve që u besohen.

Për merita në punë, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar titullin “Artist i merituar”. Propozojmë t’i jepet titulli “Artist i Popullit”.

20.1.1989 D R E J T O R I (Muharrem Shtylla) K A R A K T E R I S T I K E AGIM SOTIR QIRJAQI – aktor Ka lindur në Tiranë, më 27 janar 1951, banon në Tiranë, në Lagjen Nr. 1, rruga “Labinoti”, Pallati i Oficerëve, shkalla 2. Ap. 62. Është me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, i reformës së Pushtetit Popullor dhe në gjendje nëpunës. Ka kryer Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1972. Qëndrimi i tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë dhe është shumë i mirë. I ati i tij ka përqafuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare që në fillimin e saj. Është anëtar i Partisë që në vitin 1942.

Pas çlirimit ka punuar gjithmonë në organet e Drejtësisë. E ëma ka qenë gjithmonë punëtore. Tani që të dy janë në pension. Ka qenë i martuar, por në vitin 1982 u nda dhe tani ka një fëmijë. Ka filluar punë në teatër në vitin 1972. Më pas, në vitin 1978, punoi si regjisor në RTV. Pastaj vjen përsëri në teatër në vitin 1982. Është nga aktorët më të talentuar të teatrit dhe mban peshën kryesore në repertorin aktiv.

Rolet e realizuar prej tij kanë qenë në nivel të mirë artistik. Ka dhënë kontribut të ndjeshëm edhe në kinematografi. Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale. Është serioz dhe kërkues në punë. Është pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit II. Për merita në punë, propozojmë që t’i jepet titulli “Artist i Merituar”.

RESHAT HAMIT ARBANA – aktor Ka lindur në Tiranë në vitin 1940. Origjina shoqërore, zanatçi individual. Gjendja shoqërore, nëpunës. Është anëtar Partie. Banon në Lagjen Nr. 5, rruga “Kont Urani”, Nr. 23. Qëndrimi i familjes së tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë i mirë dhe sot familja e tij mban qëndrim të mirë moralo-politik.

Reshati mbaroi Politeknikumin “7 Nëntori”, punoi në NTASH, mallna, në fillim nga dhjetori 1959 deri në qershor 1959 si tornitor dhe nga qershori 1959 e deri në qershor 1961, si normist po në këtë ndërmarrje. Në këtë kohë filloi studimet për aktor në shkollën e lartë të aktorëve. Me mbarimin e shkollës në gusht 1965 deri në tetor 1972, punoi si regjisor dhe përgjegjës redaksie në Radio-Tirana. Këta e pranuan kandidat partie dhe ka bërë stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike nga tetori 1972 deri në dhjetorin 1973.

Pas kësaj date ka punuar në Radio-Televizion si regjisor deri në vitin 1974 dhe nga kjo datë punoi si aktor në Teatrin Popullor. Është martuar me Afërdita Arbanën, punonjëse në Komisionin e Planit të Shtetit si ekonomiste. Familja e gruas mban qëndrim të mirë politik. Në legjislaturën e fundit është zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor. Është komunist i përgatitur ideologjikisht dhe bën përpjekje të vazhdueshme për t’u thelluar në materialet e Partisë dhe të shokut Enver.

Në format e edukimit në Parti, diskuton gjithmonë dhe ngre probleme për Teatrin. Si aktor ka realizuar një sërë rolesh me cilësi të mira artistike, si në pjesët “Komunistët’, “Përballë vetes”, “Vdekja e një komisioneri”, etj. Krahas roleve në teatër, ka realizuar edhe një sërë filmash në Kinostudio dhe në RTSH. Bën përpjekje për ngritjen e tij ideo-profesionale dhe është aktor i talentuar, gëzon simpatinë e kolektivit. Është “Artist i merituar”. Propozojmë që t’i jepet titulli “Artist i Popullit”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *