Nga ajo Milan-Sampdoria te harresa: si humbi Jens Petter Hauge! Skenari i fundit duket i pashmangshëm

Na ishte një herë Jens Petter Hauge… Ai talent nordik i cili me Bodo Glimt ishte një nga diamantet në Norvegji dhe konsiderohej si një ndër talentet më të mëdha që mund të ngjitej shumë shpejt në shkallët e karrierës…

Ishte vera e vitit 2020 kur djaloshi biond nga Bodo Glimt po mrekullonte në playoff të Europa League dhe pas përballjes në San Siro me Milanin, drejtuesit kuqezi do të bisedonin me agjentin e tij dhe të atin, duke i bindur!

4 mln euro te Bodo Glimt dhe shitja e parë nga klub për një shifër rekord në Europë, aq sa në atë kohë u fol se Milani kishte bërë një marrëveshje super të lirë për talentin që kishte siguruar…

Kontratë 5 vjeçare dhe firma në tetor të vitit 2020 me kuqezinjtë. Muajt e parë ishin “zjarr” për djaloshin e ri që i aktivizuar në të majtë dhe me një Leao jo në formatin e sotëm, do të shënonte gola, jepte asist dhe do të ishte vendimtar madje edhe në San Paolo ndaj Napolit me golin e fitores 0-2.

Por, më pas, diçka u fik! Hauge nisi të kthehej rezervë e vazhdueshme, të shkonte madje në tribunë dhe ta shihte fushën me pikatore. Disa aluduan për sjellje jo të mira jashtë fushe, disa të tjerë me mospërshtatje me taktikat e Piolit ndërsa kishte nga ata që thonin edhe se Hauge ishte një flluksë sapuni dhe kishte bërë diçka thjesht prej ritmit ndryshe kur mbërriti pasi ishte në fund të sezonit të tij me Bodo Glimt dhe kishtë ndezur motorët në maksimum…

Nuk do të dihet kurrë e vërteta por fakti është se pas Milan-Sampdoria 1-1 ku edhe shënoi gol (në atë ndeshje festa e tij nuk u ndoq thuajse nga asnjë bashkëlojtar) ai nuk e pa më fushën e blertë deri te shitja që erdhi më pas e pashmangshme te Frankfurt.

Disa ndeshje të mira, pak gola dhe më pas sërish në harresë edhe në Bundesliga. Aty ku drejtuesit e Frankfurt që kishin paguar 10 mln euro dhe bonuse, për një total prej 12 mln eurosh duke çuar një plusvlerë 8 mln euro te Milani, vendosën që ta huazonin pas vetëm 1 viti. Destinacioni Belgjikë, te Gent!

Aty ku gjërat nuk ndryshuan aspak! Hauge sërish i lënë në pankinë, mes problemeve fizike dhe një gjendje psikologjike për t’u studjuar: 7 ndeshje dhe asnjë si titullar teksa gjysma e parë e sezonit ka mbaruar…

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë por me shumë mundësi do të kthehet në Gjermani sërish në fund të vitit dhe, këtu lind hipoteza e re: rikthim në Norvegji si i huazuar? Ndoshta, sepse duket se Jens ka humbur totalisht dhe ndihet i pafuqishëm për të treguar vlerat. Rikthimi në atdhe mund t’i bëjë mirë. Një biletë 2 vjeçarë në Europë mes Italisë, Gjermanisë dhe Belgjikës, më pas rikthim në Norvegji!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *