WC2022! Kosta Rika bën surprizën dhe shënon supergol, situatë lëmshi në grupin e Gjermanisë dhe Spanjës

Dita e tetë e Kupës së Botës, Katar 2022 nisi me surpriza. Kosta Rika, pas humbjes së thellë në ndeshjen e parë ndaj Spanjës “nxori” mësime dhe triumfoi ndaj Japonisë, ndaj një kundërshtari që në premierë mori suksesin e plotë ndaj Gjermanisë.

Skuadra e Suarez triumfoi 0-1 ndaj aziatikëve, me një gol që erdhi në të parën goditje në kuadrat 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt. Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe pa asnjë goditje në portat respektive.

Shumë gjëra ndryshuan në fraksionin e dytë, me Japoninë që dominoi në çdo aspekt, pasi krijoi 10 raste shënimi dhe kishte kontrollin e topit, por nuk ia doli për të gjetur recetën e golit.

Në krahun tjetër, Kosta Rika mendoi më shumë për mbrojtjen dhe me kalimin e minutave, të dyja përfaqësueset menduan më shumë për prapavijën dhe skuadrat u “pushtuan” nga ndjenja e frikës për të mos pësuar.

Në një nga daljet e pakta, skuadra e Suarez gjeti fundin e rrjetës me anë të Fuller në minutën e 81-të duke shtangur japonezët.SHIH VIDEON

Aziatikët vendosën të gjitha mekanizmat në lëvizje për të evituar humbjen, ndërsa në minutën e 88-të, Keylor Navas ishte heroi i përfaqësueses së tij me një pritje të dyfishtë.

Në fund 0-1 dhe Kosta Rika shijon pikët e para të grupit dhe jo vetëm, pasi tani në këtë grup gjithçka është e hapur, pasi kjo sfidë çon ujë në mullirin e Gjermanisë që në mbrëmje do të luajë ndaj Spanjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *