Gjithçka ishte, veçse futboll jo! Serbia zgjodhi që ta dëmtonte Neymar dhe qëllimit iu arrit, pavarësisht se Brazili fitoi ndeshjen. Ylli i PSG doli nga fusha para kohe dhe do të mungojë për dy ndeshjet e mbetura të grupeve.
Por Karma godet edhe Serbinë. Tashmë kjo Kombëtare duhet të bëj pa Milinkovic Savic para ndeshjes finale që do të ketë me Kamerunin, për të mbajtur ende shpresat e ndezura për kualifikim.
Gjithashtu dy lojtarët e saj më të mirë, Vlahovic dhe Mitrovic nuk janë në formën më të mirë pas dëmtimit që kanë kaluar së fundmi.
Neymar Junior nuk do të jetë kundër Zvicrës dhe është në dyshim edhe për sfidën ndaj Kamerunit për shkak të dëmtimit që pësoi në kyçin e këmbës së djathtë ndaj Serbisë. Një ndrydhje që e lë, tani për tani, jashtë Kupës së Botës. “Ylli” i “Seleçaos” ka reaguar në llogarinë e tij në Instagram, duke pranuar se po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së tij.
“Asgjë në jetën time nuk më është falur apo të ketë qenë e lehtë. Më është dashur gjithmonë të vrapoj pas ëndrrave dhe objektivave të mi. Nuk i uroj askujt të keqen, përkundrazi dua të ndihmoj ata që kanë më shumë nevojë. Është një nga momentet më të vështira të karrierës sime. Dhe sërish në një Botëror”, ka theksuar Neymar.
Braziliani ishte i bindur se aventura e tij në Katar nuk ka përfunduar. “Kam një dëmtim, po, më dhemb, por jam i sigurt se do të kem mundësinë të kthehem. Do të bëj gjithçka që është e mundur për të ndihmuar vendin tim, shokët e skuadrës dhe veten time,” përfundon sulmuesi i PSG-së.