Altin Lala dhe Alban Bushi kanë qenë të ftuarit e sotëm në studion e “Qatar N’24” në “News 24”. Për herë të parë në një studio së bashku, ata nuk i kanë rezistuar tundimit që përveç Botërorit të tregonin disa nga historitë e viteve kur luanin përkrah njëri-tjetrit.
“Kështu ishte i imët e nuk ta mbushte mendjen kur e shihje, por ka qenë shembull sa i përket lu tës. Pastaj u bë biznesmen dhe aty nuk e kuptova”, ishte fillimisht batuta e Bushit, teksa Lala iu kundërpërgjigj duke kujtuar mënyrën se si ish-sulmuesi kërkonte me çdo kusht pasime në ndeshje ndërsa nuk pasonte vetë.
Më pas ishte radha e Bushit të kujtonte historitë se si në dhomë bashkë para ndeshjes me Kazakistanin, Lala për t’i sjellë fat hante hurma që i kishte sjellë nga Shqipëria me vete, në një shkëmbim batutash shumë të veçantë mes dy ish-lojtarëve.
Si përfundon ndeshja mes Francës dhe Danimarkës këtë të shtunë? Diskutimi për këtë sfidë ka sjellë një bast të veçantë “live” mes Shpëtim Duros dhe Alban Bushit, të ftuar në studion e “Qatar N’24” në “News 24”.
Bushi theksoi se e rendiste Danimarkën në ekipet e dobëta pasi nuk kishte dhuruar asgjë në ndeshjen e parë në grup dhe priste fitoren e Francës. Nga ana tjetër, Duro i shpjegoi se Danimarka ishte skuadër e organizuar dhe Franca nuk e kishte të thjeshtë që të fitonte ndaj saj.
Kështu, të dy vendosën një bast me njëri-tjetrin, me përfundimin e tij që do të mësohet vetëm duke ndjekur “Qatar N’24” të shtunën në darkë pas mbylljes të sfidave të Botërorit.