Faton Zylbehari është i ftuar në studion e emisionit “Botërori Katar 2022“, ku ka dhënë mendimin e tij për Kristiano Ronaldos.
Në ekran janë shfaqur disa foto të tijat me futbollistët e Portugalisë, ndër të cilët ishte edhe 5 herë fituesi i Topit të Artë.
I pyetur nga moderatori i emisionit, Altin Sulçe, se cili ishte lojtari më miqësor, zëdhënësi i Federatës së Maqedonisë së Veriut është shprehur:
“Të gjithë përveç Ronaldos. Është egoist i paparë”. Sa i përket momentit kur ylli luzitan qau gjatë këndimit të himnit të shtetit të tij, Faton Zylbehari ka thënë se: “Qau për spektakël“…
Portugalia ka arritur që të fitojë ndaj Ganës me shifrat 3-2. Një takim emocionues që nisi me lotët e Kristiano Ronaldos në momentin e himnit. Ylli portugez gjeti golin e parë me penallti në minutën e 65, pas gabimit të bërë në ndërhyrje nga Salisu.
“Siuuuu” nisi dhe rekordi gjithashtu, Ronaldo është i vetmi që ka shënuar në 5 Botërore të ndryshme. Ganezët barazuan menjëherë me Ayew, por Joao Felix dhe i sapo futuri Leao i dërguan shifrat në 3-1. Në fund, Bukari i ngushtoi shifrat në 3-2, aq sa do të mbyllej edhe takimi.