Tinka Kurti kujton mes lotësh të birin e ndjerë: Duhet t’i vijë keq atij burrit tim që më dha veç një djalë

Aktorja e njohur Tinka Kurti u shfaq e emocionuar, por plot gjallëri në promovimin e librit “Ditari i një bashkëshorti”, ku vjen ditari i bashkëshortit të saj Palokë Kurti, në një libër të Anila Memës, që sjell rrëfime, shënime dhe imazhe nga rolet e Tinkës ndër vite.

“Në librin ‘Ditari i një bashkëshorti’ do ta njohim Tinkën tonë në një tjetër dimension, në dimensionin njerëzor, atë të njeriut artist, me të pathënat e saj, me përjetime e ndjesi të thella, me dëshmi e rrëfime të sinqerta të pazbukuruara, për të treguar jetën, atë jetën e paskuintave që spektatori as nuk e sheh dhe as nuk e njeh”, tha Anila Mema.

“Ishte e zorshme të merreshe me art. Do kishe shumë llafe pas. Filja ishte jeta ime, ai rol ishte shumë”, tha e madhja Tinka Kurti.

Teksa kujtoi bashkëshortin e saj, i vetmi çast kur aktorja “Nder i Kombit” përlotet, është kur kujton të birin, të ikur herët nga kjo jetë.

Me forcën e dhimbjen e nënës, me sytë e kristaltë ajo rikujton fjalën e fundme që i tha të birit, pa mundur ta marrë më vete.

“Janë emocione të jashtëzakonshme të jetës sime. Im shoq iku herët. E kam thënë gjithmonë, duhet t’i vijë keq atij burrit tem, që më ka lënë me një djalë, (përlotet) por unë pata fatin e keq me humb edhe djalin.

Ai iku më i ri…Janë çaste të jashtëzakonshme të jetës sime, sa kam qenë shumë trimneshë edhe me dhimbjen e djalit. I jam afruar tim biri, në arkëmort dhe i kam thënë: biri im, shpirti i nanës, nuk të marr dot se nuk më vjen dot, por më kanë ndihmuar njerëzit, më ka ndihmuar Shqipëria”, tha ajo.

Zef Kurti ndërroi jetë si pasojë e nje goditjeje fatale në zemër në moshën 65- vjeçare.Kjo është një nga plagët më të mëdha për aktoren shqiptare, e cila humbi djalin e vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *