WC2022! Fituan ndaj Argjentinës, Arabia Saudite i bën “nderin e madh” Italisë

Fitorja e Arabisë Saudite kundër Argjentinës, në ndeshjen e parë të Grupit C, është pa dyshim rezultati më i bujshëm i turneut deri tani dhe me shumë mundësi do të mbetet gjatë i tillë.

Askush nuk kishte parashikuar një finale të tillë. Veç të tjerash, Argjentina e Messit, në vitin 2021, kishte fituar Kupën e Amerikës, pastaj kishte shkatërruar Italinë në “Finalissiman” e Wembley-t dhe ishte kualifikuar në “Katar 2022” pa humbur asnjë ndeshje gjatë fushatës së eliminatoreve. Por, ndërkohë, Arabia e trajnerit Renard i surprizoi, duke shokuar botën e futbollit dhe duke i bërë edhe një nder Italisë.

Arritja e Arabisë Saudite u lejon, në fakt, të kaltërve, të mbajnë kryesimin sa i përket serisë së ndeshjeve pa humbje, 37, nga 2018 deri në humbjen me Spanjën në Nations League, në tetor të 2021.

Për ta arritur, skuadra e Mançinit kishte siguruar plot 30 fitore dhe 7 barazime, përfshirë suksesin në Europian, duke e mbyllur serinë me fitoren 5-0 ndaj Lituanisë para se të humbte me iberikët.

Një rekord ky që ishte në rrezik deri para ndeshjes Argjentinë – Arabi Saudite, pasi “Albiceleste”, nëse nuk do të humbiste përballë skuadrës aziatike, kapte Italinë në kuotën e 37 ndeshjeve pa humbje dhe pastaj mund të tentonte t’i parakalonte në ndeshjen e dytë në grup, atë që do t’i vërë përballë Meksikës, të shtunën e 26 nëntorit.

Por ndodhi e kundërta, pasi në një nga surprizat më të mëdha të kësaj dekade, Messi me shokë u dorëzuan, duke u ndalur në 36 ndeshje pa humbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *