Kandidati i Primareve të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Julian Deda tha se nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do mbajë përgjegjësi për të gjitha gabimet që ka bërë.
I ftuar mbrëmjen e sotme për emisionin “Çim Peka Live”, i pyetur se ku do ta punësonte Veliajn nëse fiton bashkinë, Deda tha se do ta merrte në punë si fotograf, por duke e mbikëqyrur gjithë kohën.
“Unë e kam thënë që Veliaj do mbajë përgjegjësi. Në burg e çon drejtësia për gabimet që ka bërë. Para se t’i gjej një vend pune, do provoj ta lë pa punë që të kuptojë sa vuajnë shqiptarët sot që janë pa punë, nëse nuk i kanë mbaruar ende lekët e mamit.
Pastaj, do t’i gjej një punë…fotograf, por supervizimin tim të rreptë që të mos më bëjë asnjë foto me kalamajtë për të fituar vota. Këtë e urrej shumë. Të shfr ytëzosh fëmijët, t’ia marrësh dikujt nga dora për vota,”-tha Julian Deda në fjalën e tij.
Ndërkohë kandidatja tjetër, avokatja Adriana Kalaja tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se do ta fitojë ajo garën e primareve në PD për bashkinë e Tiranës sepse nuk është futur në garë me metodat e Erion Veliajt dhe se ka fituar ndaj kreut të bashkisë gjyqin në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë sot fola shumë qartë, se ishte takimi i fundit. Thashë që dua të fitoj garën e primareve, nuk jam futur për të bërë qoka dhe as për të thënë se jemi shumë të mirë të gjithë, sepse barazia për mua është koncept komunist. Kam të mirat e mia, kontributet e mia, difektet e mia dhe askush nga kundërshtarët e mi. Nuk jam futur me metodat e Erion Veliajt, me kamera as para as mbrapa. Unë kam një kontribut modest, por besoj se kam dhënë maksimumin për t’i treguar Tiranës se unë bashkinë mund ta drejtoj ndryshe”, tha Kalaja.