I ftuar në studion e emisionit “Qatar N’24” të moderatores Enxhi Biba, në “News 24”, trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, bëri një analizë për ndeshjet e Botërorit të luajtura ditën e sotme, teksa vlerësoi maksimalisht kombëtaren angleze. Sipas Bushin ajo është më e mira e 20-30 viteve të fundit.
TRIUMFI I ANGLISË- Anglia ka ekipin më të mirë të momentit në 20-30 vitet e fundit. Mund të shënojë shumë gola. Kanë ndryshuar dhe futbollin e tyre, nuk luajnë më me topa ta gjatë, luajnë poshtë dhe shpejt, plus që kishin përballë një ekip të vogël.
Të gjithë ekipet e kombëtares angleze kanë ndryshuar. Anglia e këtij brezi, luan futboll më të bukur, janë rritur shumë.
Ekipet si Franca dhe Gjermania më duken më shumë inteligjente se Argjentina mbrapa. Anglia mund të ketë probleme në gjysmëfinale dhe me të mëdhajat nuk do e ketë të lehtë.
DUELI SHBA-UELLS- Pjesa e parë fliste komplet për Amerikën. Duke parë Uellsin, thoja pse nuk është Shqipëria. Në pjesën e dytë ndodhi komplet e kundërta. Këto ekipet e vogla si Amerika, mbarojnë në pjesën e dytë, ndërsa uellsianët janë britanikë dhe luftojnë deri në fund. Uellsi është një skuadër për t’u vlerësuar në qoftë se luan si në pjesën e dytë.
MOSHA E TRAJNERËVE – Bariç ka qenë trajneri më i mirë i Shqipërisë dhe ka qenë 75 vjeç. Unë mendoj se mosha nuk ka shumë ndikim. Ka qenë Bariç, tani është Reja”, përfundoi Bushi.