WC2022: Tifozët gjetën nga një dhuratë të vogël në stadium, nuk është parë kurrë në Botërorët e tjerë

Në Katar sot ka filluar Kampionati Botëror i futbollit. Një ceremoni tradicionale arabe i ka paraprirë ndeshjes që zhvillohet në mes të Katarit dhe Ekuadorit në stadiumin “Al Bayt”.

Tifozët e pranishëm në ulëset e tyre kanë gjetur nga një dhuratë të vogël. Organizatorët u kanë dhuruar nga një miswak (pastrues dhëmbësh) dhe nga një parfum të vogël.

Aktori i madh i Hollivudit, Morgan Freeman, ishte protagonist i ceremonisë hapëse të Kupës së Botës, “Katar 2022”, ku zhvilloi një dialog me sipërmarrësin vendas, Ghanim al Muftah. Aktori, tashmë 85-vjeçar, e nisi pjesën e tij në këtë event, duke rrëfyer vetëm me zë një segment të titulluar “Thirrja”, por pas disa batutash u shfaq edhe vetë në skenën e ngritur në mes të fushës së stadiumit “Al Bayut”.

“Jemi mbledhur të gjithë këtu, si një tribu e vetme e madhe”, tha Freeman, i cili u prit në skenë nga 20-vjeçari Muftah, i cili ka lindur me një sëmundje të rrallë, si pasojë e të cilës nuk ka gjymtyrët e poshtme.

“Afrohu”, i tha Muftah. Freeman iu përgjigj: “Nuk jam i sigurt, a jam i mirëpritur?”. Muftah i tha: “Prandaj bëmë thirrjen, sepse të gjithë janë të mirëpritur. Ishte një ftesë për të gjithë botën”.

Freeman vazhdoi: “Më kujtohet se, edhe pasi morëm thirrjen, në vend që të gjenim një mënyrë tjetër, e hodhëm poshtë dhe donim të bënim sipas kokës sonë. Dhe tani bota ndihet më e largët dhe e përçarë. Si mundet kaq shumë vende, gjuhë dhe kultura të bashkohen, nëse pranohet vetëm një mënyrë?!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *