Marek Hamsik i thotë lamtumirë kombëtares sllovake. Ish-kapiteni historik i Napolit i ka dhënë lamtumirën Sllovakisë në ndeshjen e fundit miqësore të zhvilluar sot.
Calzona e zëvendësoi atë në minutën e fundit për t’i dhënë duartrokitjet e turmës. Rreth 5 minuta duartrokitje në stadiumin Tehelne Pole në Bratislave. Marek Hamsik i thotë lamtumirë kombëtares pas 135 paraqitjeve dhe 26 golave për Sllovakinë, debutimin e tij në 2007 dhe 15 vite me fanellën e vendit të tij.
Ai e lidhi karrierën e tij me klube kryesisht me Napolin, ku luajti për dymbëdhjetë sezone, gjashtë prej të cilave si kapiten, duke fituar dy Kupa të Italisë (2011-2012 dhe 2013-2014) dhe një Superkupë të Italisë (2014). Ai është rekordmeni i paraqitjeve me fanellën napolitane. Me Trabzonspor ai fitoi një kampionat turk (2021-2022) dhe një Superkupë turke (2022).
Ai është futbollisti me më shumë paraqitje dhe më shumë gola të shënuar për kombëtaren sllovake, me të cilën ka marrë pjesë në një kampionat botëror (2010) dhe dy kampionate evropiane (2016 dhe 2020).
Në vitin 2008 është shpallur lojtari më i mirë i ri nga Shoqata e Futbollistëve Italianë, ndërsa në vitet 2011, 2016 dhe 2017 është përfshirë sërish nga AIC në ekipin e vitit. Në vitet 2009, 2010, 2013, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018 u shpall futbollisti sllovak i vitit. Ai u përfshi gjithashtu në ekipin e sezonit të UEFA Europa League 2015.
Me 409 ndeshje të luajtura, ai është i gjashti në mesin e lojtarëve të huaj më të pranishëm në Serie A, pas Javier Zanetti, Samir Handanovič, Goran Pandev, José Altafini dhe Sebastien Frey. Për më tepër, me 408 ndeshje të luajtura me fanellën e Napolit, ai është i dyti në mesin e lojtarëve të huaj më të pranishëm në Serie A me vetëm një ekip, pas Javier Zanettit.