Sot zhvillohet ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Armenisë, që do të jetë e fundit e trajnerit Edy Reja, sipas kontratës.
Gazetari Erion Todhe, në një lidhje për edicionin e lajmeve, thotë se pas kësaj ndeshje do të ketë një diskutim me Presidentin e FSHF, Armand Duka, ku do të diskutohen rezultatet e Edy Rejës dhe do të vendoset për të ardhmen e tij.
Sa i përket formacionit të ndeshjes së sotme me Armeninë, gazetari Todhe u shpreh ka pasur dhe futbollistë të larguar kështu që pritet të aktivizohen më së shumti lojtarë që kanë pasur pak minuta me Kombëtaren, por edhe ata të rinj që janë marrë Kampionati Shqiptar i Futbollit.
Pyetje: A do të ketë ndryshime në formacion në përballje ndaj Armenisë, cilat janë të dhënat më të fundit? Gazetari Erion Todhe: Do të ketë ndryshime në formacion sepse kemi pasur dëmtime dhe lëndime. Kemi pasur edhe dhe futbollistë të larguar kështu që pritet që në ndeshje me Armeninë, trajneri Reja të aktivizojë më së shumti lojtarë që kanë pasur pak minuta me Kombëtaren, por edhe ata të rinjtë që janë marrë Kampionati Shqiptar i Futbollit. E ka garantuar këtë edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Pyetje: Mund të themi që kjo është ndeshja e fundit e trajnerit Reja, apo pritet të ketë një rikonfirmim të tij në krye të pankinës?
Erion Thodhe: Sipas kontratës që ai ka me Federatën Shqiptare të Futbollit, kjo është ndeshja e fundit e tij. Më pas do të bëhen bisedimet me presidentin, me Komitetin Ekzekutiv, por më së shumti me presidentin, do të bëhen llogaritë se çfarë të mira ka pasur Kombëtarja, çfarë arritjesh edhe çfarë zhgënjimesh ka pasur dhe nga do të anojë peshorja do të bëhet dhe vlerësimi i mundshëm. Por ashtu siç e shoh unë situatën, trajneri Reja më së shumti nuk do të jetë, megjithëse në konferencën e fundit për shtyp ka folur për të ardhmen e Kombëtares dhe të ardhmen e tij dhe për punën e tij në Kombëtaren Shqiptare. Kështu që ka lënë të kuptohet se projekti i tij është për të qëndruar, gjithsesi është për t’u parë në javët e ardhshme. /TVklan