Shqipëria luan sot miqësoren ndaj Armenisë, sfidë që do transmetohet në SuperSport 2 duke nisur prej orës 17:30. Në emisionin “Kuq e Zi” nën drejtimin e Andi Deçkës, u zbulua se deri tani janë shitur rreth 4 mijë bileta sipas raportimeve të gazetarit Sokol Xhihani.
Entuziazmi i ndeshjes ndaj Italisë është shuar, kuqezinjtë do të mbështetën nga pak tifozë në “Air Albania”. Rreth kësaj situate foli edhe gazetari Gjergji Stefa, i cili mendon se do ishte më mirë që një takim i tillë të luhej diku tjetër.
“Do ishte më mirë që kjo ndeshje të luhej në Kukës Arena ose në stadiumin e ri të Partizanit. Sigurisht që mund të zhvillohej edhe në Shkodër apo Elbasan, pasi do zgjonte interesin e tifozëve”, u shpreh Stefa.
Trajneri Edi Reja ndan mendjen për formacionin me të cilin do të përballet në miqësoren ndaj Armenisë, sfidë që do të jetë e fundit për kuqezinjtë në këtë vit kalendarik.
Pas një viti të komplikuar, ku nuk kanë marrë ende asnjë fitore, të besuarit e Edi Rejës do të provojnë të gjejnë suksesin e parë, teksa trajneri u ka besuar nga minuta e parë emrave si Hadroj, Adrian Bajrami, Asllani, Çokaj Muçi e Skuka.
Italianit i mbaron kontrata pikërisht në fund të nëntorit dhe ende nuk dihet nëse do ketë rinovim apo jo. Reja e ka shprehur haptazi dëshirën për të vazhduar.