Ndihmësi i Edi Rejës në kombëtaren shqiptare, Hamdi Salihi foli për emisionin “Kuq e Zi” në SuperSport rreth miqësores ndaj Armenisë. Ish-goleadori i njohur, preku disa tema, nisur nga formacioni titullar, dyshja sulmuese Skuka-Muçi dhe e ardhmja e trajnerit italian. Nuk mungoi një koment për lojtarët e Superiores, me Salihin që zbuloi se Serxho Ujka, mesfushori i Laçit, ka dhënë një përshtypje pozitive tek ai dhe tekniku Reja.
“Pavarësisht se janë ndeshje miqësore, mundohemi t’i organizojmë si ndeshje zyrtare, mundohemi të fusim elementë të rinj se si shkrihen me ekipin. Më vjen mirë që ka lojtarë edhe nga kampionati shqiptar, në pjesën e dytë do të luajnë edhe të tjerë.
Skuka-Muçi? Pak e vështirë, pasi është hera e parë që luajnë bashkë. Lojtarët duhet të jenë të vëmendshëm nga dita e parë. Të dy janë lojtarë inteligjentë, shpresoj të luajnë në shërbim të njëri-tjetrit dhe në shërbim të ekipit.
Emër tjetër nga Superiorja? Po, ka të tjerë që janë paraqitur shumë mirë, por këta që janë këtu janë thirrur edhe në bazë të pozicioneve. Ka lojtarë si Ujka i Laçit, i cili i ka pëlqyer shumë trajnerit dhe mua, por kishim shumë mesfushorë, është repart ku kemi mbipopullim.
I kërkojmë lojtarët, por nuk duhet t’i forcojmë. Lenjani në rolin e tij, është më i miri në sytë e trajnerit për këtë skemë. Lojtarët duhet të fitojnë vetë vendin e tyre në formacion.
Bajrami-Asllani? Kanë luajtur edhe bashkë, ndaj Izraelit këtu, por këto janë zgjedhjet e trajnerit. Të dy janë lojtarë të rinj, kanë një rrugë të gjatë te kjo Kombëtare.
Bulku-Salihi gati për stolin nëse ikën Reja? Ne mundohemi të mësojmë dhe të rritemi nga dita në ditë, si në sport dhe në jetë. Kemi pasur një shans të jashtëzakonshëm për të punuar me një staf dhe trajner si Reja. Shpresojmë ta vazhdojmë punën së bashku, pasi kanë bërë një punë të mirë. Në sytë e mi duhet të vazhdojnë”, deklaroi Salihi.