E thotë i besuari i Dukës: Viti i Ri, Kombëtarja me trajner të ri

Sulejman Mema ishte i ftuar në emisionin “Kuqezi je ti” në Supersport ku foli për të ardhmen e trajnerit Edy Reja. Prej vitesh pjesë e rëndësishme e Federatës Shqiptare të Futbollit, Mema zbuloi se kuqezinjtë do të kenë një timonier të ri. Sipas tij, viti i ri do ta gjejë Kombëtaren me një trajner tjetër, ndërsa nuk preferoi t’i zbulojë emrin.

“Viti i Ri, Kombëtarja do të ketë trajner të ri”, tha ai në panelin e emisionit në fjalë. Shumë emra kanë qarkulluar për pankinën e Kombëtares, ndërsa interesi është i madh për të mësuar se kush do të drejtojë kuqezinjtë. Nga deklarata e Memës, del që Reja është i ikur. Ndaj s’mbetet gjë tjetër veçse të presim “timonierin” e radhës.

Shqipëria e ka mbyllur me fitore vitin 2022. Ndeshja e fundit për kuqezinjtë për këtë vit kalendarik ishte ajo kundër Armenisë, të cilën e fitoi me rezultatin 2-0. Skuka ka shënuar sot golin e tij të parë me Kombëtaren, duke justifikuar besimin e Rejës për ta nisur nga minuta e parë. Ndërkohë në pjesën e dytë shënoi edhe Kristjan Asllani, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Reja: “Sa i përket ndeshjes së fundit apo jo, këtë nuk e di akoma. Duhet të shohim. Është e rëndësishme që e mbyllëm me fitore. Djemtë treguan temperament dhe dëshirë të madhe. Kur ka lëvizje në sulm loja bëhet edhe më e lehtë për mesfushën. Luajtëm mirë, jam i kënaqur sot. Ky duhet të jetë shpirti i Shqipërisë, me ose pa mua, pasi energjia e djemve është e rëndësishme në ekipin kombëtar, njësoj si dëshira dhe lidhja me fanellën.

Lojtarët e Superiores? I kam ndjekur këta lojtarë gjatë kampionatit. Ka shumë lojtarë që më kanë rënë në sy, ka lojtarë që mund të bëjnë mirë në Kombëtare. Mua më pëlqen të bëj edhe stërvitje apo seleksionime javore apo mujore, gjithmonë nëse më lejojnë klubet. Nuk e di nëse do të vazhdoj, por kushdo që do vijë, do të gjejë një punë të ngritur, do gjejë tavolinën plot dhe shumë lojtarë të talentuar, do ketë mundësinë të zgjedhë. Nëse do jem unë, i kam idetë e qarta. Detyra ime ishte të rrisja vlerat e lojtarëve, mendoj se kemi lojtarë që janë të gatshëm për të luajtur me Kombëtaren. Nëse do të vazhdoj si trajner i Shqipërisë, e di se ku duhet të ndërhyj.

Të gjithë janë të aftë, Skuka tregoi vlerat e tij, edhe Hadroj ka vlera në aspektin dinamik dhe atë të rezistencës, por duhet të përmirësojë diçka në aspektin teknik. Ka edhe shumë të tjerë. Edhe Bitri po bën mirë, në lartësi janë edhe lojtarë të tjerë që nuk i grumbullova këtë radhë. Cara është lojtar interesant, ka teknikë, lëvizshmëri dhe ritëm. Janë lojtarët që duhet mbështetur dhe duhen integruar në ekipin kombëtar. Kemi rreth 40-50 lojtarë që mund të jenë pjesë e Kombëtares. Goli i parë? Kur ke kohën në dispozicion për të punuar, bën edhe gjëra të tilla, por ka raste që lojtarët i harrojnë lëvizjet që përgatisim. Përgatitëm disa lëvizje, lojtarët i memorizuan dhe i bënë në ndeshje. Sa bukur do ishte nëse do kishim më shumë kohë për të punuar së bashku. Kemi kualitet, e treguam në lëvizjet e sotme. Fizikisht jemi mirë, por kemi nevojë për t’u përmirësuar në aspektin taktik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *