Kristjan Asllani ishte lojtari më i mirë në ndeshjen Shqipëri-Armeni (2-0). Mesfushori i Interit dhuroi spektakël me pasimet e tij, si te goli i parë i shënuar nga Xhuliano Skuka.
Në minutën e 63’ gjeti golin e parë kuqezi falë një penallti të ekzekutuar saktë, teksa në prononcimin për emisionin “Kuq e Zi” në SuperSport, 20-vjeçari i talentuar deklaroi:
“Goli? Emocion shumë i bukur të shënosh me Kombëtaren, është ëndrra e çdo fëmijë, por gjëja kryesore sot ishte fitorja. Kishim shumë kohë që nuk fitonim. Unë gjithmonë dua të luaj, por zgjedhjet i bën trajneri.
Skema e njëjtë si tek Interi? E kam qejf shumë atë top, i thashë Skukës që të nisej pas linjës sa herë të kishte mundësi. Më pëlqen një pasim i tillë, jam i lumtur edhe për Skukën që realizoi golin e parë me Kombëtaren”, deklaroi Asllani.
Marash Kumbulla ishte lideri i prapavijës në sfidën me Armeninë, teksa pas saj deklaroi se fitorja ishte shumë e rëndësishme, pas një viti të vështirë.
Nuk pësuar gol, por sot më e rëndësishme ishte padyshim fitorja… Ishte një rezultat shumë i rëndësishëm. Ndonëse dukej një ndeshje e thjeshtë, ishte më e komplikuar dhe jam i lumtur për rezultatin e tifozët, që na kanë mbështetur gjithmonë.
Si u ndjeve me partnerët e rinj në mbrojtje? Nuk besoj se ka pasur disbalanca, pasi ata që luajtën, u shfaqën mjaft mirë dhe bënë shumë mirë detyrat e tyre. U ndjeva mirë me djemtë e rinj, që bënë ndeshje shumë të mirë.
Sa do të ndikojë kjo ndeshje për të gjetur formën tënde më të mirë? U bë shumë kohë, ndoshta që nga gushti, që nuk luaj kaq shumë, ndaj falënderoj trajnerin që më dha mundësinë. Është shumë e rëndësishme të marr minuta dhe të gjej formën time më të mirë.