Te Milani, drejtuesit janë në ankth për shkak të çështjes së Leaos. Portugezi nuk e ka rinovuar ende kontratën me Djallin, e cila skadon më 30 qershor 2024. Synimi i Maldinit dhe Massara-s ishte që të merrnin po-në e sulmuesit para Botërorit, por hipoteza u shkatërrua.
Vetë Maldini i është rikthyer shpesh temës, pa gjetur zgjidhje. Hera e fundit ishte pikërisht me rastin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve në “Globe Soccer Awards”, ku mes temave të shumta të trajtuara, u ndal edhe te kontrata me Leaon: “Në rastin e Leaos, ideja ishte mbyllja e rinovimit para Kupës së Botës, por nuk ka qenë e mundur…”
Një fjali e qartë që nënkupton dhe konfirmon gatishmërinë e Milanit për të gjetur një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, e cila ende nuk ekziston. Arsyeja kryesore duket se është problemi ekonomik dhe padia e Sportingut, që i kërkon lojtarit një dëmshpërblim miliona dollarësh. Sigurisht, në prapaskenë vijojnë t’i tërheqin fijet edhe disa top-klube, që janë gati ta mbulojnë me ar portugezin.
Midis tyre, në krye qëndron Chelsea, i cili tentoi edhe në verë, por më pas dështoi. Kontrata e Leao skadon në verën e vitit 2024. Pavarësisht kësaj, ish-kapiteni i kuqezinjve nuk i ka humbur shpresat për një rinovim për MVP-në e Serisë A të kaluar. Negociatat do të fillojnë sërish në dhjetor, për të kuptuar qëllimet reale të lojtarit. Në çdo rast, Milani nuk dëshiron të shpërdorojë asetet ekonomike që mund të rrjedhin nga luzitaniani.
Nëse tymi i zi do të mbërrinte, dyert e transferimit mund të hapeshin për Leaon që në janar per nje shitje. Kërkesa nga klubi milanez është afër 100 milionë euro, shifër kjo jo e paarritshme për klubet e mëdha europiane. Chelsea kishte shfaqur interes për sulmuesin kuqezi verën e kaluar, por ata mund të mos jenë skuadra e vetme që do të bëjë përpara.
Siç raportohet nga El Chiringuito TV, Milani do të kishte kthyer në qendër të vëmendjes Joao Felix për të zëvendësuar Leaon. Sulmuesi po gjen shumë pak hapësirë në fushën e Simeones dhe do të mirëpriste një transferim te Milani. Kuqezinjtë mund të ofrojnë një hua të rëndë prej 15 milionësh me të drejtë blerjeje, që ndoshta do të paguhet verën e ardhshme.