FSHF ia sheh hajrin miqësores me Italinë, zbulohet shuma sa milionë lekë janë futur në “xhep” nga kjo ndeshje

Shqipëria zhvilloi të mërkurën ndaj Italisë një miqësore luksi në “Air Albania”, takim që përfundoi me shifrat 1-3 për djemtë e Mancinit.

Një ndeshje e cila dhuroi spektakël në fushën e lojës, po i tillë ishte edhe nga shkallët e stadiumit, ku tifozët kishin mbushur thuajse plot “Air Albania”.

Plot 21 mijë e 500 tifozë raportohet të kenë qenë prezent në shkallët e stadiumit ndaj “Axurrëve” , ku vetëm tribuna e miqve kishte vende bosh, gjë e cila nuk shikohej që nga ndeshja me Poloninë që kombëtarja zhvilloi për kualifikueset e “Katar 2022”.

Nga kjo miqësore Federata Shqiptare e Futbollit ka “ngrohur” xhepat, pasi sipas informacioneve ka arkëtuar plot 700 milionë lekë vetëm nga shitja e biletave.

Pas Italisë, kombëtarja shqiptare do të përballet me Armeninë, në një tjetër ndeshje miqësore që do të zhvillohet në “Air Albania”. Një sfidë ku Edi Reja do të ketë edhe më shumë mungesa, pasi Armando Broja u dëmtua ndaj “Axurrëve”, ndërsa lojtarë të tjërë si Myrto Uzuni dhe Odise Roshi duhet të kthehen te skuadrat e tyre sipas marrëveshjeve, pasi do të luajën ndeshje respektive me klubet.

Ndaj Armenisë do të kenë më shumë mundësi të luajnë lojtarët të cilët kanë pasur më pak minuta në ndeshjet e tjera, me Rejën që nuk do të ndryshojë gjithsesi shumë në formacion nga përballja me Italinë, pasi sipas thashethemeve kjo mund të jetë sfida e fundit e italianit në stolin e kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *