Partizani e ka nisur me këmbën e mbarë në shtëpinë e re, stadiumin e ndërtuar në kompleksin e të kuqve ku tani e tutje do të luajnë ndeshjet e tyre si pritës. Të kuqtë kanë mundur me shifrat 2-1 Bylisin dhe janë kanë barazuar me pikë Tiranën kryesuese.
Të kuqtë kanë dominuar ndeshjen, edhe pse nuk krijuan shumë raste. Një penallti e Skukës u dha avantazhin ndaj ballshiotëve të cilët edhe pse me mungesa të shumta, u përpoqën t’u rezistonin kryeqytetasve. Në pjesën e dytë, Skuka shënoi në gol të jashtëzakonshëm dhe u mendua se ndeshja u mbyll, sidomos duke parë edhe morinë e rasteve që krijoi me pas skuadra vendase.Por goli I Rodrigos në fund solli drithërima pasi ndeshja u hap dhe ballshiotët tentuan të barazonin shifrat.
Partizani do të jetë skuadra më e përfaqësuar në radhët e kombëtares shqiptare për dy ndeshjet ndaj Italisë dhe Armenisë.
“Panorama Sport” ka mësuar se trajneri Edi Reja, ka vendosur që të shtojë radhët e futbollistëve të përfaqësueses me dy emra të tjerë nga skuadra e cila mundi sot Bylisin me shifrat 2-1.
Duke parë mungesat e mëdha në sulm, me problemet fizike të legjionarëve të ndryshëm, tekniku ka vendosur që përveç Bitrit dhe Hadrojt, nga radhët e të kuqve të grumbullojë edhe Skukën dhe Carën. Të dy lojtarët shkëlqyen në suksesin e sotëm, me numrin 9 i cili gjeti dy herë rrjetën.
Reja i ka pasur të dy lojtarët në grumbullimet e tij për miqësoret ndaj Arabisë Saudite dhe Katarit, ndaj njeh aftësitë e lojtarëve të cilët pritet që sot t’i bashkohen menjëherë pjesës tjetër të grupit kuqezi.