Regjisori Eduart Grishaj ka qenë i ftuari i veçantë i “Piranjave” këtë të diel, ku ka bërë një intervistë ndryshe nga të zakonshmët. Nga “filmi “Sofia”, tek familja e miqtë e vjetër dhe të rinj, regjisori i ri zbuloi pak më shumë për veten.
Ai tregoi se si u frymëzua për filmin që po shfaqet në kinematë shqiptare, si e ka pritur publiku dhe mbi të gjithë a është xheloze partnerja e tij Arbana Osmani, për Sofinë, apo për aktoren që e luajti në film. Në një intervistë ndryshe nga të tjerat, ju ftojmë të ndiqni “rrëfimin” e Eduart Grishajt në videon e mëposhtme.
Përpos historisë që vetë filmi ka, kastit të aktorëve të përzgjedhur me shumë kujdes, detaji që ra në sy ishte Arbana Osmani si producente dhe aktore në këtë film të regjisorit.
Ermali e pyet gjatë bisedës në studio se si është të kesh producente bashkëshorten tënde. Eduarti u përgjigj se të punosh me Arbanën është komoditet madje nënvizoi se në momentet që është i ngarkuar i përfshin edhe të tjerët tek punët e tij, duke ndarë detyrat dhe përgjegjësitë.
Ndërkohë sa i takon rolit të saj si gazetare në film, Edi tha se, si të gjithë aktorët e tjerë të cilët kaluan audicionet, edhe Arbana bëri audicion. Dëshironte të ishte pjesë e filmit sepse i rrinte shumë mirë një gazetare për të shkuar tek pjesa e shkëputur e historisë në film, por edhe sepse Arbana është një nga gazetaret më të dashura në tregun mediatik shqiptar.
“Kisha shumë nevojë për prezencën e saj në film që aktori Arbri shkon i kërkon një nder për të gjet një të afërm të Sofisë. Edhe nëse nuk do të ishte bashkëshortja ime, unë do ia kërkoja Arbanës që ta luante këtë rol sepse ishte si një urë që më lidhte mua ngjarjet. Por Arbana kaloi dhe audicionin dhe ne ishim të suksesshëm bashkë. Pastaj kalon dhe tek ajo që thatë ju që mund të jetë një njeri që ka influencë dhe mund të sjellë njerëzit që ta shohin.”