Largimi nga Roma duket i pashmangshëm. Marash Kumbulla nuk bën pjesë në planet e Murinjos. Ndeshjet e fundit mbrojtësi shqiptar i ka ndjekur nga stoli, duke marrë mesazhin e qartë se në janar duhet të shohë për një tjetër ekip.
Murinjo i tregon derën Marash Kumbullës dhe ka piketuar pasardhësin e tij. “Calciomercato.com” raporton se Roma kërkon të marrë futbollistin e Volfsburgut, Miki van de Ven.
Sa i përket Kumbullës, në skenë për të del një tjetër klub nga Serie A. Fiorentina është në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe 22-vjeçari shqiptar shihet si alternativa e duhur.
Nderkohe nisja e këtij sezoni për Nedim Bajramin nuk ishte aspak një fillim i thjeshtë me ekipin e Empolit. Zërat e fundit të merkatos (sidomos ato të verës) e kanë prekur jo pak atë. Aq sa në ndeshjet e para trajneri Zaneti preferoi ta linte të niste nga pankina në më shumë se një rast.
Kujtojmë që ai ishte shumë pranë Fiorentinës, por në fund me ‘Violën’ nuk u bë asgjë pasi ata vendosën të merrnin rrugë të tjera. Shanset për mesfushorin e Kombëtares shqiptare padyshim nuk mbarojnë këtu pasi shumë shpejt mund të mbërrijë një ofertë e rëndësishme nga një top-klub italian që synon të fitojë “Scudetton”. Deri më tani ai është ndalur vetëm te një gol: ai i barazimit momental ndaj Milanit. Pavarësisht minutave të pakta të grumbulluara deri më tani, kërkesat për të sigurisht që nuk mungojnë.
Sipas asaj që shkruan “Calciomercato”, skuadra e interesuar për koston e kartonit të tij është Napoli. Nuk është hera e parë që napolitanët mund të bashkëpunojnë me toskanët pasi e kanë bërë edhe më parë.