Ditën që do të luante ndaj Bayern Munich në Champions League, Kristjan Asllanit i erdhi dikush në ndihmë publikisht. Kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka, e inkurajoi të vazhdojë kështu, si deri më tani, me punë dhe përkushtim, me kokën ulur, sepse do t’ia dalë t’i bëjë vend vetes tek Interit dhe të jetë një nga imazhet kryesore të futbollit shqiptar në Europë.
Presidenti i FSHF-së dha një intervistë për “FCinternews”, duke mos i kursyer lavdet për djaloshin e ri shqiptar, i cili luajti 90 minuta të plota në “Allianz Arena” mbrëmë dhe u vlerësua me notën 7.3, më e larta te zikaltrit referuar duelit me Bayern Munich.
Ju e njihni Asllanin prej një kohe të gjatë. Çfarë lloj djali ishte Kristjan? E takova atë në ekipet tona kombëtare, në të cilat ka luajtur për tri vite. Së pari me U-21 dhe tani në ekipin kombëtar A. Është një djalosh gjithmonë me buzëqeshje në fytyrën e tij, i përulur dhe me vetëbesim. Karakterizohet nga një qetësi dhe optimizëm që t’i transmeton sa ta takoni.
A mendonit se Asllani do të bëhej pjesë e kombëtares shqiptare dhe Interit kaq i ri? Cilësitë e tij u panë dhe ishte e qartë se herët a vonë do të ndodhte një transferim i rëndësishëm. Për moshën e tij, mbase ishte pak herët, por klubet e shkëlqyera sot janë ‘agresive’ dhe nuk e lejojnë mundësinë që t’iu shpëtojë një talent si Asllani. Tani është një ambasador i futbollit shqiptar. Në planin e imazhit, ai do ta ndihmojë shumë futbollin shqiptar, të flitet për të, pasi Interi është një markë ndërkombëtare.
Çfarë ka menduar Kristjan kundër Barcelonës, kur shpërdoroi mundësinë e shënimit të një goli historik? Do të kishte qenë një gol që do ta ndihmonte shumë të imponohej te zikaltrit këtë vit, mbase të kishte më shumë hapësirë. Ky gol do t’i jepte atij më shumë vetëbesim. Sidoqoftë, nuk do të duhet të mendojë shumë për atë moment. Ai ka një karrierë të gjatë përpara dhe do të ketë mundësi të tjera për të shënuar gola shumë të rëndësishëm kundër Barcelonës, Real Madridit dhe gjithashtu kundër Italisë me fanellën e Shqipërisë.
A mendoni se mund të mësojë nga Brozoviç dhe së shpejti të jetë pikë fikse e formacionit të Interit? Çdo ditë mund të mësoni dhe të rriteni. Të mësosh nga një lojtar si Brozoviç është një pasuri e shkëlqyeshme, pasi të gjithë jemi dakord që kroati është një nga mesfushorët më të rëndësishëm të futbollit botëror, ndër më të mirët në qarkullim. Ai gjithashtu luajti një finale të Kupës së Botës, ka përvojë ndërkombëtare shumë të madhe. Në muajt e fundit do të duhet të mësojë shumë nga Brozoviç, por edhe nga emrat e tjerë të rëndësishëm që luajnë tani tek Interi. Unë e shoh atë për shumë vite si një pikë fikse në mesfushën e zikaltërve.