Një grua 82-vjeçare u kap duke vjedhur në një supermarket në Itali, në Ferentino (Frosinone). “Mos u thoni nipërve të mi”, tha gruaja e përlotur kur u kërkua ndërhyrja e karabinierëve. Përballë këtyre fjalëve, pronari i dyqanit, ndërpreu telefonatën me 112 dhe i bëri dhuratë blerjet.
Ishte ora 12:00 kur e moshuara hyri në supermarketin pranë shtëpisë së saj. Fillimisht shkoi te banaku i sallamit, më pas shkoi te raftet dhe futi në çantë një kuti me ton bashkë me bukën dhe mortadellën.
Ajo po dilte nga dyqani kur u ndalua. Kur iu kërkua të hapte çantën e saj, zonja shpërtheu në lot, duke i premtuar se do të kthente gjithçka. “Mos i thoni karabinierëve, nuk dua që nipërit e mi ta dinë se gjyshja e tyre është hajdute,” tha ajo.
Pronari i supermarketit duke kuptuar arsyet e domosdoshmërisë dhe varfërisë që e kishin çuar në vjedhje, vendosi t’i jepte falas gruas gjithçka që kishte futur në çantë.
“Mendova si të ishte nëna ime dhe i thashë policisë se gjithacka ishte në rregull. Pastaj vendosa t’i dhuroj atë që kishte marrë. Nuk ndihem hero dhe nuk më pëlqen të shfaq. Kam punuar gjithmonë me sakrificë dhe ndershmëri dhe kur mundem, mundohem të ndihmoj të tjerët” tha ai.
E moshuara jetonte e vetme ndërsa katër fëmijët e saj jo gjithmonë arrijnë ta ndihmojnë financiarisht. Pas rritjes së çmimeve, e moshuara nuk arrinte t’ja dilte dot deri në fund të muajit, prandaj Francesco Sciucco tha: “Kur të dojë do jetë mysafirja jonë, disa euro nuk e ndryshojnë jetën time, por shpresoj t’i kem dhënë asaj një buzëqeshje”.