Në emisionin e mëngjesit në Tv Klan, “Aldo Morning Show”, diskutohen çdo ditë tema të ndryshme dhe qytetarë shqiptarë telefonojnë dhe japin mendimet e tyre. Mirgen Hoxha ishte një nga telefonuesit e radhës, i cili foli rreth temës së ditës, nëse mesatarja është përcaktuese për të ardhmen.
I riu, i cili tashmë është pronar i një kompanie me 45 punonjës në Amerikë mendon se mesatarja nuk është përcaktuese për të ardhmen. Ai u shpreh se në gjimnaz ishte një nxënës i dobët dhe mesatarja e tij ishte 5.7. Mirgeni thotë se nuk e kuptonte qëllimin e shkollës dhe se ai donte të bënte diçka tjetër në jetë.
“Unë mund ta jap mendimin tim në dy perspektiva: në perspektivën personale dhe atë si një pronar i një kompanie që kemi 45 punonjës. Në atë perspektivën personale unë kam pasur një përvojë shumë të hidhur në shkollën e mesme dhe kam pasur një mesatare jo fort të mirë, 5.7.
Ideja ishte këtu që unë nuk e kuptoja pse duhet të isha në shkollë. Nuk e lidhja dot shkollën me atë që doja të bëja. Unë isha në punë faktikisht, qëkur isha në shkollë të mesme, doja që të ndërtoja një kompani dhe të bëja lekë, kjo ishte si pasion, si dëshirë, dhe nuk e shikoja se si shkolla do të më ndihmonte mua në këtë gjë. E shikoja si kohë të humbur.
Në 2006-ën kam mbaruar unë. Arrita të shkoja në një universitet në SHBA, vajta në një kolegj në fillim dhe atje unë kam marrë një mesatare 10. Vajta atje dhe ky i kolegjit ishte që futej kushdo, i jepej një shans i dytë atyre që nuk kishin qenë mirë në shkollën e mesme.
Problemi im ishte tek të kuptuarit një qëllim. Po ta them shembullin e dytë. Unë kam rreth 45 punonjës. Kam disa punonjës të cilët nuk kanë shkuar në shkollë të lartë” – tregoi qytetari shqiptar në emisionin e mëngjesit “Aldo Morning Show” në Tv Klan.