Eduart Grishaj dhe Arbana Osmani janë një nga çiftet më të dashur të showbiz-it shqiptar. Prej disa vitesh ata kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre, teksa tashmë janë edhe prindër të dy fëmijëve, një djali, Diell dhe një vajze, Zoi.
Ndërkaq, Arbana ka edhe një tjetër fëmijë nga martesa e parë, djalin, Jon. Dyshja, janë një çift i pandarë jo vetëm në shtëpi, por edhe në punë, për shkak të profesioneve të tyre.
Edi është regjisor me profesion, teksa veç programeve të ndryshme televizive, si ‘Dua të të bëj të lumtur’ dhe ‘Big Brother VIP Albania’, ai do të sjellë së shpejti edhe një projekt të ri që pritet të dalë në kinema brenda pak ditësh, filmin ‘Sofia’. Në këtë film, pjesë e kastës së aktorëve, veç emrave shumë të njohur është edhe Arbana Osmani, partnerja e tij në jetë.
I ftuar para pak ditësh në emisionin e mëngjesit në Euroneës Albania, Eduarti tregoi se si ishte të punonte me Arbanën në sheshin e xhirimit, kësaj radhe ai aktore. Ai zbuloi se nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi moderatorja bën shumë dubla.
“Nuk ishte e lehtë fare për të punuar me Arbanën, sepse nga prezantimi në aktrim ajo mendoi se ishte e thjeshtë, por nuk është dhe aq. Është e vështirë të kesh Arbanën aktore, sepse bën shumë dubla”– tha Grishaj, i ftuar në “Euroneës”.
Mirëpo, kaq i është dashur Arbanës, e cila pasi ka parë intervistën e partnerit ka vendosur të reagojë përmes një postimi në rrjete sociale ku shkruan se nuk ka faj. ‘Ah s’ke faj ti’ – shkruan Arbana Osmani në Instagram, duke i bërë edhe tag Eduartit, reagimi i të cilit nuk ka munguar, duke ripostuar story-n e saj e duke na paralajmëruar të gjithëve. ‘Prit se nuk keni parë gjë akoma’ – shkruan Eduarti, duke e shoqëruar me një emoji duke qeshur.