Shqipëria do të përballet me Italinë në një takim miqësor që do të zhvillohet më 16 nëntor në “Air Albania”. Sigurisht që interesi për një ndeshje të tillë është i lartë, prandaj stadiumi pritet të jetë i gjithi i mbushur.
FSHF-ja ka nxjerrë në shitje biletat për këtë miqësore për të gjithë personat që abonohen në klubin Tifozat e Kombëtares, të cilët do të kenë mundësinë ti blejnë në mënyrë të parakohshme.
Gjithashtu Federata ofron ulje çmimesh në produktet e saj si dhe një sërë mundësish e ofertash, në varësi të abonimit të zgjedhur nga tifozët. Abonimet janë të dy kategorive, Silver dhe Gold.
Ndërkohë Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite. Takimi do të zhvillohet në Abu Dabi në orën 16:30 në stadiumin “Al Nahyan”.
Dje me grupin kuqezi janë bashkuar edhe pesë lojtarë, të cilët kanë qenë të impenjuar me klubet e tyre si Selmani, Kastrati, Balaj, Mitaj dhe Toli.
Ndërkohë, pas mbërritjes në Abu Dabi dhe akomodimit, skuadra ka zhvilluar një seancë teorike dhe video-analizë, ndërkohë në orën 18:00 ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore përpara miqësores, ku kanë qenë të gjithë futbollistët e ftuar të listës.
Kjo seancë është bazuar thuajse e gjithë në aspektin tekniko-taktik, ku Reja dhe stafi i tij kanë dhënë direktivat e fundit mbi qasjen që do të kenë në betejën e sotme në Abu Dabi.