Ylber Ramadani është përshtatur më së miri te skuadra e Aberdinit në Skoci, ku deri tani ka dalluar me paraqitjet e tij dhe është kthyer në një pikë të rëndësishme për këtë skuadër.
Për mesfushorin e Kombëtares ka folur me superlativa edhe trajneri i Aberdinit Xhim Guduin, i cili thotë se çdo trajner do të dëshironte të kishte në ekip një mesfushor si ai.

“Ramadani është një tip lojtari që çdo trajner do të uronte që ta kishte në ekipin e vet. Ai është vërtet një lojtar skuadre që jep gjithçka në fushë, por edhe në stërvitje çdo ditë. Kur kemi vëzhguar statistikat që i mbajmë në çdo stërvitje, kemi vënë re se Ramadani vrapon çdo ditë më shumë sesa shokët e skuadrës.
Ai vrapon më larg se kushdo në një ditë ndeshjeje. Një pjesë e kësaj ka të bëjë me pozicionin si mesfushor, por ai është shumë i qëndrueshëm me këtë pjesë.
Ai ka një lexim shumë të mirë loje si dhe ku do të jetë rreziku nga kundërshtari në fushë, është vetëm 26 vjeç dhe po vjen në vitet më të mira të karrierës së tij.
Po ashtu luan edhe me Kombëtaren shqiptare, thjesht në majë, superlojtar, por mbi të gjitha ai është edhe një person i mirë. Ai është djaloshi diamant dhe puna me të po ashtu. Nëse keni Ramadanin në skuadër, ju po shkoni në rrugën e duhur. Më besoni”, ka përfunduar trajner i Aberdinit.