Skënderbeu u “shtang” në mes të Ko rçës. Kur prirej avancimi drejt kreut, bardhekuqtë barazuam me Besëlidhjen. Ishin në avantazh të një goli në pjesën e parë, por nuk ditën që ta mbronin. Ky rezultat ka sjellë zhgënjim në kamp, pasi nuk u shkon aspak për shtat objektivave që klubi ka.
Edhe Ardjan Takaj priste shumë më shumë prej ekipit, gjë që e thotë hapur edhe për “Panorama Sport”. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, presidenti evidenton mungesën e cinizmit si defekt. Ai pret që kjo gjë të korrigjohet në vazhdim, pasi javët po kalojnë dhe çdo gjë mund të vështirësohet.
“Janë dy pikë të humbura në fushën tonë dhe kjo nuk është aspak normale për një ekip që ka objektiva madhorë. Ndaj Besëlidhjes kishim përgatitur një sukses në shtëpi, por ata u treguan të zotët dhe na goditën në momentin e duhur. Përtej mungesave dhe dëmtimeve, mund të them se nuk u treguam cinikë për të marrë tri pikët. Patëm shumë raste dhe nuk ditëm t’i shfrytëzonim, gjë që duhet ta ndryshojmë javë pas jave. Në këtë kategori nëse nuk e mbyll takimin në momentin e duhur, gjithçka të vështirësohet”, theksoi fillimisht Takaj.
Mungesa e Vangjel Zguros shkaktoi goxha mister në ndeshjen e fundit. Kapiteni u detyrua që ta ndiqte ndeshjen nga tribuna dhe kjo gjë nuk mund të kalonte pa u vënë re dhe pa u aluduar gjatë. Përtej rezultatit, ishte një tjetër çështje që shqetësonte opinionin sportiv.
Dyshimet erdhën prej atij zëvendësimi kundër Burrelit që lojtarit nuk i pëlqeu fort (u ndërrua në të 65-ën, kur ekipi po fitonte në shifrat 3-1). Një javë më pas automatikisht nuk mund të luante përballë Tomorit, pasi mori edhe të katërtin karton të verdhë. Me Besëlidhjen pritej të kthehej, por në fakt mbeti jashtë 18-shes. Për të shuar çdo lloj paqartësie, është vetë presidenti që mendon.
Takaj thekson se nuk ka çështje “Zguro” te Skënderbeu, duke sqaruar se mungesa erdhi për arsye dëmtimi. “Nuk ka asnjë çështje ‘Zguro’ te Skënderbeu, asnjë dënim apo diçka të ngjashme. Ashtu siç ua konfirmoj edhe vet, në dijeninë time lojtari ka problem me kaviljen dhe për këtë arsye nuk ka qenë i gatshëm për këtë takim. Ka pasur një hatërmbetje pas një zëvendësimi me Burrelin, por situata është sheshuar dhe është e qetë”, përfundoi presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj. Nga ana tjetër, kapiteni Vangjel Zguro ka vijuar i distancuar përgatitjet për rikuperimin nga shqetësimi që ka në kaviljen e majtë.