Miqësorja e Kombëtares kuqezi ndaj Italisë sa vjen dhe afrohet. Takimi i planifikuar të zhvillohet me datë 16 nëntor, në “Air Albania” ka nxitur një nismë tepër speciale për të gjithë tifozët e Kombëtares shqiptare.
Biletat për këtë takim do të vijnë më ulje për të gjithë tifozët shqiptar, ku me anë të antarsimit në Klubin e Tifozëve të Kombëtares, do të përfitohet ulje për çdo produkt në dyqanin e FSHF dhe para-blerjen e biletave për ndeshjen e Kombëtares për takimin ndaj Italisë dhe Armenisë.
Nderkohe, Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite ditën e nesërme në orën 16:30. Grupi realizoi stërvitjen e fundit para nisjes në Abu Dhabi ditën e djeshme dhe sot do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes.
Trajneri Edy Reja ka punuar me grupin e reduktuar deri dje pasi disa lojtarë do t’i bashkohen sot në Arabi. Tekniku italian e ka në mendje një ide për formacionin por sot do të mbyllen dhe dilemat e fundit. Pjesa më e madhe pritet të jenë lojtarët e Superiores që do të debutojnë për herë të parë.
Kastrati e ka “kyçur” vendin në portë pasi në këtë sezon është portieri më në formë shqiptar dhe hedh kandidaturën edhe për vendin titullarë në ekipin A. Mbrojtja pritet të jetë “produkt” vendi me Janku – Bitri – Turkaj që mund të formojnë treshen e prapavijës.
Mesfusha pritet t’u takojë tre “Tiranasve”, Deliu, Toli dhe Kallaku që nga krahët do të kenë Gurishtën dhe Mitajn. Në sulm, kapiteni Cikalleshi e ka vendin e sigurtë por Reja duhet të gjejë partnerin e tij me Xhixhën dhe Skukën që janë të etur për golin e parë me Kombëtaren.