Flamurtari duket se ka harruar startin e dobët të sezonit dhe ka marrë një tjetër fitore në kampionat, kësaj radhe duke i dhënë një leksion Dinamos brenda në “Selman Stërmasi”.
Në sfidën e fundit të javës së shtatë të Kategorisë së Parë, vlonjatët i shënuan plot pesë herë “Nëndetëses”.Me këtë fitore Flamurtari barazon Dinamon në krye të renditjes, por vlonjatët përfitojnë nga golavarazhi për të qenë e para.
Besëlidhja ka dhuruar një nga surprizat e kësaj jave në Kategorinë e Parë teksa ka barazuar me shifrat 1-1 në Korçë përballë Skënderbeut që është mes skuadrave pretendente për ngjitjen në Superiore.
Skuadra lezhjane, e cila nuk kishte në stol trajnerin Bruka, i cili ka dhënë dorëheqjen, ka siguruar një rezultat shumë të rëndësishëm për moralin, në një start sezoni që nuk ka qenë në nivelin e kërkuar për këtë ekip.
Ajo që spikati ishte fitorja me përmbysje 2-1 e Tërbunit kundër Korabit brenda në shtëpi, duke i shkaktuar humbjen e parë skuadrës së Donald Mëziut këtë sezon. Edlir Tetova debutoi me një fitore 2-0 përballë Turbinës brenda në Lushnje, duke harruar kështu një moment formën e keqe që po kalon kjo skuadër.
Derbi i Kavajës mes Besës dhe Luzit u mbyll në një barazim pa gola. Në dy sfidat e tjera, Oriku mundi me rezultatin 3-0 në shtëpi Apoloninë, ndërsa Burreli mposhti 2-0 Tomorin.